Kardiologët kërkojnë shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberit
18 kardiologë të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës kanë nënshkruar një kërkesë për shkarkimin e drejtorit të kësaj Klinike, Lulzim Kamberi.
Në këtë letër drejtuar drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, janë disa akuza ndaj Kamberit, të cilat paraqiten si arsyetime të kërkesës së kardiologëve.
Aty përmendet edhe një sulm fizik, siç thuhet, nga doktor Artan Ahmeti ndaj doktorit Fisnik Veliu, të ndodhur më 31 maj të këtij viti.
KALLXO.com ka kontaktuar me Artan Ahmetin dhe e ka pyetur nëse është e vërtetë që e ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, Fisnik Veliun.
“Paj jo bre, kam deklaru unë për këtë, a po merr vesh?” – u përgjigj Ahmeti.
Ai tregoi se ka dhënë deklaratë edhe në Polici, edhe në komision disiplinor e edhe në media dhe tha se nuk është marrë asnjë vendim.
Lidhur me kërkesën për shkarkim të drejtorit të Kardiologjisë, Ahmeti tha se nuk ka të bëjë asgjë me të.
Sa i përket rastit të sulmit fizik, KALLXO.com kishte dërguar pyetje edhe më parë në adresë të SHSKUK-së.
“Pas rastit, e që ishte raportuar edhe në media, zëvëndësuesja e drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK ka kërkuar nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, që bazuar në legjislacionin në fuqi të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore” – thuhet në përgjigjen e zyrës së drejtorit.
Në atë kohë, Narqize Arënliu-Hoxhaj ishte ende ushtruese e detyrës së drejtorit.
“Nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë jemi njoftuar se dy doktorët janë proceduar për në Komision Disiplinor, ku edhe pritet të shqyrtohet lënda nga Komisioni Disiplinor në QKUK” – thuhej në përgjigjen e SHSKUK-së në muajin e kaluar.
Në pyetjen se a është ngritur Ahmeti në pozitë, SHSKUK nuk kishte ofruar përgjigje.
Po ashtu, sipas drejtorit të Kardiologjisë, me rastin është duke u marrë edhe Policia e Kosovës.
“Lulzim Kamberi me veprimin e tij jo-kompetent dhe manipulativ, qëllimshëm prolongon marrjen e veprimit ndëshkues, paraqitjen në komision disiplinor të personit të lartëcekur, për të realizuar paraprakisht emërimin e dr.Artan Ahmetit shef i Njësisë Koronare” – thuhet tutje në kërkesën për shkarkim, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.
Gjatë asaj kohe, në kërkesë thuhet se drejtori dhe shefat kanë ushtruar presion dhe dhunë psiqike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okularë.
Ahmeti e konfirmoi se e ka marrë këtë pozitë pas datës 31 maj, por shtoi se ai nuk është emëruar, por është zgjedhur me konkurs të rregullt.
Konkursi i brendshëm për shefa të reparteve dhe të njësive në Kardiologji ishte hapur më 13 prill 2023.
Kërkesa është dërguar edhe në adresë të kryesuesit të bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi dhe të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Bordi në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot diskutoi për këtë kërkesë bashkë me drejtorin e sapozgjedhur Elvir Azizi.
Ata vendosën që drejtori të formojë grupe vlerësuese për të vërtetuar nëse pretendimet në kërkesë qëndrojnë apo jo.
Në rast se vërtetohet që ka pasur dhunë fizike, Bardiqi tha se kërkon vendim maksimal.
“Nëse dy kolegëve u shkon mendja me u rreh, nuk qenka pacienti në qendër të vëmendjes” – tha ai gjatë mbledhjes së bordit të SHSKUK-së të mërkurën.
Kardiologët pretendojnë se Kamberi ka ushtruar presion dhe dhunë psiqike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okularë, në rastin e sulmit fizik të pretenduar për ta relativizuar aktin e dhunës dhe shpalljen e dhunuesit si të pafajshëm në këtë rast.
Gjithashtu, kardiologët kanë thënë se ai po ashtu ka publikuar listën me emrat e kardiologëve që do të zgjidheshin shefa të njësive në Klinikë, para se të përfundohej procedura e konkursit.
Kamberi akuzohet gjithashtu edhe për mosrespektim të hierarkisë, ikje nga përgjegjësitë e tij, mungesë transparence për shumicën e stafit, diskriminim në punë dhe tejkalim të kompetencave, nxitje të konflikteve, sjellje me qëndrime të dyfishta, degradim të shërbimeve profesionale e të tjera.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e Kardiologjisë, Lulzim Kamberin. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, i njëjti nuk u është përgjigjur as telefonatave e as mesazheve.