Foto: Sali Ademaj- Facebook

Kandidati për asamblist i PDK-së zgjedhet drejtor shkolle në Prizren

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për asamblist, Sali Ademaj, është zgjedhur drejtor i shkollës ‘Remzi Ademaj” në Prizren.

Ademaj kishte konkurruar për ulësen e këshilltarit komunal në rradhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit komunale.

Sipas rezultateve të konkursit, Ademaj ka arritur të dalë kandidati më i suksesshme kundrejt pesë kundërkandidatëve për këtë pozitë.

Ademaj ka arritur të fitojë 88.33 pikë në testin me shkrim dhe intervistën me gojë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ademajn dhe i njëjti ka ndalur menjëherë telefonin. KALLXO.com ka dërguar një mesazh me shkrim në numrin e Ademajt dhe në momentin e marrjes së përgjigjes do të publikohet.

Foto: Sali Ademaj- Facebook
Foto: Sali Ademaj- Facebook

KALLXO.com ka raportuar për punësimin e ish-drejtorit politik të arsimit në Komunën e Dragashit, i cili është zgjedhur si drejtor i shkollës ‘Lidhja e Prizrenit’ në Prizren.

KALLXO.com ka raportuar edhe për punësimin e Behare Kryeziut si drejtoreshë e shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren.

Behare Kryeziu është gruaja e Nijazi Kryeziut, i cili është zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti nga e cila qeveriset Prizreni aktualisht.

Behare Kryeziu, përveç që është gruaja e një figure të lartë të PDK-së, ka qenë e dënuar për falsifikim dokumentesh zyrtare në vitin 2019 sa kishte qenë në të njëjtën pozitë, pra si drejtoreshë e të njëjtës shkollë në Prizren.

Rikujtojmë se kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga PDK ishte zotuar gjatë fushatës se drejtorët e shkollave në Prizren do të jenë apolitik.

Në shtator të vitit të kaluar kur ishte pyetur nëse do të vinte si kriter apolitizimin e drejtorëve të shkollave, Totaj ishte përgjigjur që kjo as nuk do të diskutohej.

“Definitivisht kjo as që diskutohet”, kishte deklaruar Totaj.

Gjithashtu Totaj, kishte premtuar në emisionin Jeta në Kosovë se drejtorët e shkollave do të jenë kompetentë dhe do të zgjidhen me kritere profesionale.

“Diku 26 shkolla në Prizren nuk kanë drejtorë, kanë ushtrues detyre. Për me mujtë me tregu çka do të bëjmë në vitet e ardhshme duhet të identifikohen problemet. Së pari duhet të zgjedhim një drejtor ose drejtoreshë të DKA-së, person i cili e njeh arsimin dhe menaxhimin në sferën e arsimit, pastaj emërohen drejtorët kompetentë me kritere profesionale” – kishte thënë Totaj në muajin nëntor 2021, në kohën sa po ballafaqohej në balotazh me Mytaher Haskukën.

Totaj gjithashtu ishte zotuar se do të ketë transparencë në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave të Prizrenit duke thënë se “ku do të marrin pjesë ndoshta edhe mediat dhe shoqëria civile për të parë se me të vërtetë zgjedhim drejtorë kompetentë”.