Behare Kryeziu dhe Nijazi Kryeziu, Foto: Behare Kryeziu/Facebook

Gruaja e zyrtarit të PDK-së rekomandohet për drejtoreshë shkolle në Prizren

Në shtator të vitit të kaluar kur ishte pyetur nëse do të vinte si kriter apolitizimin e drejtorëve të shkollave, Totaj ishte përgjigjur që kjo as nuk do të diskutohej.

“Definitivisht kjo as që diskutohet”, kishte deklaruar Totaj.

Por, pothuajse një vit më pas duket se kjo çështje ka arritur të diskutohet në qeverisjen e Totajt.

Behare Kryeziu është rekomanduar për drejtoreshë në shkollën fillore të mesme të ulët “Mustafa Bakiu” në Prizren.

Kryeziu është rekomanduar në këtë pozitë në konkursin e fundit që është organizuar në këtë komunë për drejtorë dhe zëvendës-drejtorë të shkollave.

Kryeziu ia ka dalë të jetë kandidatja më e suksesshme kundrejt dy kandidatëve të tjerë, të cilët kishin aplikuar për të njëjtën pozitë, duke arritur të marrë 72.66 pikë në testin me shkrim dhe intervistën me gojë.

Behare Kryeziu është gruaja e Nijazi Kryeziut, i cili është zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti nga e cila qeveriset Prizreni aktualisht.

Behare Kryeziu dhe Nijazi Kryeziu

Behare Kryeziu, përveç që është gruaja e një figure të lartë të PDK-së, ka qenë e dënuar për falsifikim dokumentesh zyrtare në vitin 2019 sa kishte qenë në të njëjtën pozitë, pra si drejtoreshë e të njëjtës shkollë në Prizren.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryeziun për të konfimuar punësimin dhe për ta pyetur nëse është favorizuar nga PDK-ja karshi kandidatëve të tjerë, por e njëjta nuk ka dhënë koment.

“Ende nuk kam filluar punën. Të lutem pas procedurës bisedojmë. Ditën e mirë” – ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me burrin e Behares, Nijazi Kryeziun, i cili ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e gruas ndonëse kjo komunë qeveriset nga partia ku ky është anëtar.

Kryeziu tha se ka dhënë dorëheqje nga postet publike menjëherë pas ngritjes së aktakuzës dhe se nuk ka si të ndikojë në punësimin e gruas.

“I keni rezultatet e konkursit. Unë kam dhënë dorëheqje prej posteve publike qe 4-5 vjet. Jam pasiv dhe jam i pari në Kosovë që kam dhënë dorëheqje menjëherë pas ngritjes së aktakuzës. Kurrë s’kam marrë pjesë në mbledhje të PDK-së dhe PDK-ja nëse nuk merr pjesë tri herë automatikisht del. Jam anëtar, por kam dhënë dorëheqje nga postet publike dhe s’kam pas qysh me ndiku” – ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ishte dënuar me burgim me kusht, në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Por dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohej, nëse e njëjta brenda afatit prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër penale.

Gjykata Themelore në Prizren, edhe më 22 maj të vitit 2018, ndaj të akuzuarës Kryeziu, kishte shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar atë me gjashtë muaj burgim me kusht.

Por, më pas, më 22 dhjetor 2018, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes.

Behare Kryeziu në muajin mars të vitit 2016 ishte përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme si Drejtoreshë e Shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren.

Ndaj saj Prokuroria e Prizrenit, në vitin 2017 kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të falsifikim të dokumentit zyrtar.

Nijazi Kryeziu ka qenë njëri ndër të akuzuarit në rastin ‘Pronto’, i njëjti gjatë viteve të fundit ka mbajtur disa pozita të ndryshme politike.

Ai në kohën kur Prizreni qeverisej nga PDK, ka qenë Kryesues i Asamblesë Komunale Prizren, ndërsa më vonë edhe Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.

Së fundmi Nijazi Kryeziu para se të ngritej aktakuza ndaj tij në rastin ‘Pronto’, ka qenë këshilltar i Kadri Veselit.

Sipas aktakuzës, Behare Kryeziu, në cilësinë e personit zyrtar si drejtoreshë e shkollës, në dokument zyrtar ka shënuar të dhënat e rreme e pastaj e kishte nënshkruar dhe vulosur atë dokument me vulë të shkollës.

Prokuroria thotë se ajo në periudhën shkurt, mars 2017, ka lëshuar vërtetimin se S. A., në shkollën ku e akuzuara ishte drejtoreshë kishte bërë zëvendësimin e edukatores gjatë pushimit të saj për 6 muaj.

Këtë vërtetim dëshmitarja S. A., po atë ditë e kishte dorëzuar në Drejtorinë e Kulturës dhe Arsimit në Prizren, lidhur me një konkurs të shpallur për vend pune.

Kryetari aktual i PDK-së, Shaqir Totaj, kishte premtuar në emisionin Jeta në Kosovë se drejtorët e shkollave do të jenë kompetentë dhe do të zgjidhen me kritere profesionale.

“Diku 26 shkolla në Prizren nuk kanë drejtorë, kanë ushtrues detyre. Për me mujtë me tregu çka do të bëjmë në vitet e ardhshme duhet të identifikohen problemet. Së pari duhet të zgjedhim një drejtor ose drejtoreshë të DKA-së, person i cili e njeh arsimin dhe menaxhimin në sferën e arsimit, pastaj emërohen drejtorët kompetentë me kritere profesionale” – kishte thënë Totaj në muajin nëntor 2021, në kohën sa po ballafaqohej në balotazh me Mytaher Haskukën.

Totaj gjithashtu ishte zotuar se do të ketë transparencë në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave të Prizrenit duke thënë se “ku do të marrin pjesë ndoshta edhe mediat dhe shoqëria civile për të parë se me të vërtetë zgjedhim drejtorë kompetentë”.

KALLXO.com ka tentuar të marr një deklaratë nga kryetari Totaj, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.