Foto: Vloran Cenaj- Facebook

Ish-drejtori i PDK-së në Dragash, rekomandohet për drejtor shkolle në Prizren

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Vloran Cenaj, tashmë është rekomanduar për drejtor shkolle në komunën e Prizrenit.

Sipas rezultateve të konkursit, Cenaj është rekomanduar për drejtor në shkollën e mesme të ulët ‘Lidhja e Prizrenit’ në Prizren.

Sipas rezultateve të konkursit, Cenaj ka arritur numrin më të madh të pikëve për pozitën e drejtorit të kësaj shkolle kundrejt një kandidati tjetër. Cenaj ka arritur që në testin me shkrim dhe intervistën me gojë të marrë 80.83 pikë.

Cenaj kishte drejtuar Drejtorinë e Arsimit në Dragash pas emërimit në post politik nga ish-drejtori i komunës së Dragashit, Shaban Shabani.

Foto: Vloran Cenaj- Facebook

KALLXO.com ka kontaktuar Cenajn, i cili pas dëgjimit të pyetjes e ka ndalur telefonin me pretendimin se nuk po e dëgjon pyetjen.

KALLXO.com ka raportuar dje për punësimin e Behare Kryeziut si drejtoreshë e shkollës Mustafa Bakiu në Prizren.

Behare Kryeziu është gruaja e Nijazi Kryeziut, i cili është zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti nga e cila qeveriset Prizreni aktualisht.

Behare Kryeziu, përveç që është gruaja e një figure të lartë të PDK-së, ka qenë e dënuar për falsifikim dokumentesh zyrtare në vitin 2019 sa kishte qenë në të njëjtën pozitë, pra si drejtoreshë e të njëjtës shkollë në Prizren.

Rikujtojmë se kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga PDK ishte zotuar gjatë fushatës se drejtorët e shkollave në Prizren do të jenë apolitik.

Në shtator të vitit të kaluar kur ishte pyetur nëse do të vinte si kriter apolitizimin e drejtorëve të shkollave, Totaj ishte përgjigjur që kjo as nuk do të diskutohej.

“Definitivisht kjo as që diskutohet”, kishte deklaruar Totaj.

Gjithashtu Totaj, kishte premtuar në emisionin Jeta në Kosovë se drejtorët e shkollave do të jenë kompetentë dhe do të zgjidhen me kritere profesionale.

“Diku 26 shkolla në Prizren nuk kanë drejtorë, kanë ushtrues detyre. Për me mujtë me tregu çka do të bëjmë në vitet e ardhshme duhet të identifikohen problemet. Së pari duhet të zgjedhim një drejtor ose drejtoreshë të DKA-së, person i cili e njeh arsimin dhe menaxhimin në sferën e arsimit, pastaj emërohen drejtorët kompetentë me kritere profesionale” – kishte thënë Totaj në muajin nëntor 2021, në kohën sa po ballafaqohej në balotazh me Mytaher Haskukën.

Totaj gjithashtu ishte zotuar se do të ketë transparencë në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave të Prizrenit duke thënë se “ku do të marrin pjesë ndoshta edhe mediat dhe shoqëria civile për të parë se me të vërtetë zgjedhim drejtorë kompetentë”.

Gruaja e zyrtarit të PDK-së rekomandohet për drejtoreshë shkolle në Prizren