Të premten pritet të shpallet thirrja për drejtor në RTK 2
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka miratuar propozimin që të shpallet thirrje për pozitën e drejtorit në RTK 2.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka deklaruar para bordit se mandati i drejtorit aktual është drejt fundit.
“Jemi në kohë optimale për të shpallë konkurs për drejtor në RTK 2, pasi mandati i drejtorit aktual përfundon më 2 nëntor” – ka thënë ai.
Ai shtoi se thirrja do bëhet publike në ditët në vijim.
“Proceduralisht jemi në rregull me thirrjen publike për këtë. Prej pasnesër (të premtën) do jemi gati për të bërë shpalljen” – tha Ahmetxhekaj në mbledhjen e bordit që u mbajtë të mërkurën.
Në mbledhjen e sotme, Bordi po ashtu mori vendim që punëtorët të japin raport për punën që kryejnë gjatë orarit, kjo pasi, sipas anëtarëve të bordit nuk ka evidencë të mjaftueshme se kush sa punë bënë brenda ditës.
Pas këtyre raportimeve, menaxhmentit do i ofrohet më pas edhe raport mujor për performancë të punëtorëve të RTK-së.
KALLXO.com ditë më parë ka publikuar hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave” ku shpërfaqet diskriminimi ndaj tri grave që kishin konkurruar në konkurse pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionit Publik.
Pavarësisht se kishin dal të parat në vlerësime, ato nuk kishin marrë pozitat, por u ishin dhënë disa burrave.