Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpallet konkurs për drejtorë e zv.drejtorë të disa shkollave të mesme në Prishtinë

Drejtoria për Arsim në Komunën e Prishtinës ka shpallur konkurs për pozita të drejtorëve në shkollat e mesme: “Hoxhë  Kadri Prishtina”, “Gjimnazi i Specializuar Matematikor, “7 shtatori”,” Sami Frashëri”, si dhe pozita për zv.drejtorë në shkollat “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Gjin Gazulli”.

Sipas të dhënave të konkursit, kandidatët kanë të drejtë të aplikojnë në një e më shumë shkolla, ku në raste të tilla përgatitet dokumentacioni i ndarë për secilën shkollë ku aplikon.

Nga Drejtoria e Arsimit bëhet e ditur se gjatë procesit të intervistimit, do të ketë vëzhgues të ndryshëm nga ambasada britanike, shoqëria civile, pushteti lokal, Këshilli Drejtues i shkollës e përfaqësues të Këshillit të Prindërve.

Pos këtyre, do të jenë tre anëtarë në Komisionin përzgjedhës: një anëtar nga Drejtoria Komunale për Arsim (DKA) në Prishtinë, një anëtar nga Ministria e Arsimit (MASHTI) dhe një ekspert i jashtëm.

Konkursi mbetet i hapur 15 ditë nga data e publikimit të konkursit, nga 2 nëntori deri më 16 nëntor.

Kriteret dhe detajet e tjera për aplikim i gjeni këtu.

Derisa, këtu gjeni udhëzuesin për fazën e intervistimit në këto pozita udhëheqëse.

Komuna, po ashtu ka bashkëngjitur edhe dokument për vëzhguesit e komisioneve përzgjedhëse për rekrutim në këto pozita.

Në maj të këtij viti, Komuna e Prishtinës bëri të ditur se drejtorët dhe zv.drejtorët do të përzgjedhen në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, përmes rrjetit Facebook pati deklaruar se me këtë iniciativë do t’i japin fund punësimeve partiake në shkollat e Prishtinës.

“Do t’iu japim fund punësimeve partiake në shkollat e Prishtinës! Jam e lumtur që për herë të parë në historinë e Komunës së Prishtinës, me kërkesën dhe iniciativën e Drejtorisë së Arsimit, drejtorët dhe zëvendës-drejtorët e shkollave tona do të përzgjedhen në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë. Me këtë, ne do të vendosim një vijë të qartë mes qeverisjes sonë në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjeve të kaluara”, ka shkruar Musmurati.