Gjimnazi 'Sami Frasheri'

Profesorët e gjimnazit 'Sami Frashëri' bojkotojnë mësimin, kundërshtojnë drejtoreshën e re

Profesorët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë kanë duke bojkotuar mësimin pasi nuk po e pranojnë drejtoreshën e re, e cila sipas tyre është emëruar jashtëligjshëm.

Profesorët po pretendojnë se drejtoresha e re Fahrije Retkoceri, e cila më herët ka mbajtur këtë pozitë në “Shkollën e Gjelbër” është emëruar jashtëligjshëm.

Ilmi Reçica, profesor i gjuhës frënge për Kallxo.com deklaroi se konkursi për drejtor nuk ka shkuar sipas rregullave, prandaj nuk do e pranojnë drejtoreshën e re.

“Nga Drejtoria e Arsimit komisioni për emërim të drejtorit nuk ka qenë i plotë, në atë komision nuk ka pasur asnjë përfaqësues të shkollës. Gjithashtu është dashur që në intervistë të jenë 3 pretendentë, por në këtë konkurs kanë qenë dy. Ne nuk pranojmë drejtor të emëruar me anë të shkeljes së procedurave”, ka thënë Reçica.

Por, sipas të dhënave të komunës, pretendimi se nuk kanë qenë tre kandidatë në intervistë nuk qëndron, pasi në konkursin fillestar kanë qenë të ftuar katër kandidatë, në mesin e tyre edhe zonja Retkoceri.

 

Në një deklarim për KALLXO.com drejtoresha, Fahrije Retkoceri e cila ka qenë drejtoreshë në “Shkollën e Gjelbër” për 11 vite ka thënë se ka ndjekur të gjitha procedurat e konkursit, kurse mësimi në shkollë është penguar nga persona të caktuar.

“Këtij konkursi i është dhënë kahje tjetër nga persona të caktuar të shkollës, të cilët kanë manipuluar edhe me nxënës. Unë i kam ndjekur të gjitha procedurat e konkursit”, tha ajo.

Retkoceri shtoi se dy prej kandidatëve, janë tërhequr nga konkursi pasi kanë marr vesh që edhe ajo është në garë.

“Dy prej personave që kanë qenë pjesë e konkursit janë tërhequr pasi kanë marr vesh se unë jam pjesë e garës, por puna ka ecur, nuk ka asgjë të kundërligjshme këtu”, shtoi tutje Retkoceri.

Sipas të dhënave nga shkolla, pjesë e konkursit ka qenë edhe zëvendës drejtori i gjimnazit, derisa drejtori i deritanishëm Fetah Zejnullahu nuk ka qenë pjesë e garës.

Ndërsa, Drejtoria për Arsim në komunën e Prishtinës nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me bojkotimin e mësimit në gjimnazin e “Sami Frashëri” dhe pretendimet e profesorëve për emërimin e drejtoreshës së re me shkelje të procedurave.