Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Vitisë tregojnë planet për digjitalizimin e shërbimeve komunale

Kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë kanë treguar se cilat janë planet e tyre për digjitalizimin e shërbimeve komunale.

Kandidati për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi  nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qytetarët e Vitisë do të kenë shërbime digjitale të qasshme.

“Në Pozhoran qytetarët paguajnë por nuk mund t’i marrin shërbimet. E-kioska është jofunksionale. Me mua ose do të jetë funksionale ose do të mbyllet krejt”, ka thënë Ademi.

Po ashtu, kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Azizi tha se do të hapë një zyrë elektronike ku përmes saj do të informohen qytetarët.

“Shërbimet online nuk mund të jenë me njoftime online. Do të përgatitet një zyre elektronike që përmes faqeve të ndryshme të jetë një qasje e drejt për transparencën komunale”, ka thënë Azizi.

E kandidati për kryetar të Vitisë, Sokol Haliti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se në qeverisjen e tij janë digjitalizuar shumë shërbime komunale.

“Ne i kemi përmirësuar shërbimet online. Kemi bërë E-kioska në Pozhoran dhe Viti shumë herët, shërbimet për qytetarë janë kry online e sidomos në kohën e pandemisë”, ka thënë Haliti.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre nëse marrin mandatin e kryetarit më 17 tetor.

Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë: Arsim Ademi  nga LVV; Bekim Azizi nga PDK dhe Sokol Haliti nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë: Majlinda Ostrogllava nga LDK; Majlinda Shabani nga LVV dhe Zyrafete Rama nga PDK.

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.