Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Ferizajt komentojnë gjendjen e tualeteve në Ferizaj

Kandidatët për kryetar të Ferizajt në Debat Pernime janë ballafaquar me pamjet e papastërtisë në tualetet të institucioneve të kësaj komune.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Ferizajt, Valon Ramadani tha se do të bëjnë të pamundurën që brenda 100-ditëve të pastrojnë të gjitha tualetet.

Ai tha se sapuni është luks për shkollat e Ferizajt.

“Tualetet janë në gjendje të mjerueshme. Do të bëjmë një zgjidhje afatshkurtër derisa të bëhet zgjidhja komplet për ujin, që në vitin e tretë të mandatit do të zgjidhim”, theksoi ai.

Arben Halili, kandidat nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Ferizajt,  theksoi se më shumë probleme me pastërti ka Spitali Rajonal.

“Do të jem më rigoroz për ata që janë përgjegjës për higjienë në shëndetësi”, tha ai.

Ndërsa, kandidatja e Lidhjes Demokratike e Kosovës për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi në Debat Pernime e ka quajtur katrahurë gjendjen me tualetet.

“Mungesa e koordinimit të saktë mes komunës dhe ndërmarrjes “Pastërtia” ka bërë që edhe pse jetojmë në këtë shekull të ballafaqohemi me këtë katrahurë”, u shpreh Halimi.

E kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Ferizajt e që është kryetar aktual, Agim Aliu në Debat Pernime tha se kanë bërë investime të mëdha në pastërti.

“Mosmirëmbajtja e mirë e tualeteve bie edhe në përgjegjësinë e menaxherëve”, tha Aliu.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.