KALLXO.com fiton betejën kundër ZRRE-së për qasje në dokumentet publike

KALLXO.com ka fituar betejën kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për qasje në dokumente publike.

Më 28 prill 2023, ZRRE kishte refuzuar kërkesën e KALLXO.com për qasje në raportin që sugjeronte gjoba ndaj KEK-ut dhe KOSTT-it.

Arsyetimi i ZRRE-së në atë kohë ishte se raporti nuk ishte shqyrtuar ende nga bordi.

“Ai është draft, raport nuk ka. Nuk është final. A po lypni draft apo raport? Kur të shqyrtohet në mbledhje, ju japim” – kishte thënë Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE-së.

Më 8 gusht 2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka miratuar ankesën e KALLXO.com si të bazuar dhe ka urdhëruar ZRRE-në që të ofrojë qasje në raport.

Në arsyetimin e këtij vendimi, AIP ka thënë se një dokument publik, i pranuar, prodhuar apo mbajtur nga cilido institucion publik, pavarësisht nëse është i aprovuar apo jo, nëse ekziston, duhet t’i ofrohet një pale kërkuese.

“Sepse i njëjti përbëhet nga informacione që kanë të bëjnë me veprimatrinë e përditshmë të institucionit publik. Sipas përkufizimeve mbi termin dokument publik, çdo e dhënë, informacion, fakt konsiderohet dokument publik. Bazuar në këtë interpretim, institucioni publik nuk ka pasur të drejtë ta kishte refuzuar kërkesën fillestare të palës ankuese për t’u qasur në dokumentet e kërkuara” – thuhet në vendim.

Nga raporti në fjalë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ishte gjobitur me 3 milionë euro nga ZRRE, ndërsa KOSTT ishte gjobitur me 400 mijë euro.

Arsyeja e gjobitjes së KEK-ut, sipas ZRRE-së, ishte sepse gjatë shitblerjes së energjisë elektrike janë nënshkruar kontrata me shoqëri tregtare dhe degët e të cilave nuk janë të regjistruara dhe licencuara në Kosovë dhe që nuk i njihet licenca e lëshuar nga vendet përkatëse.

Ndërsa KOSTT, ndër të tjera, ishte gjobitur sepse duke mos vepruar me kohë në zbatimin e dispozitave përmbarimore sipas kontratës mes palëve, ka shkaktuar probleme financiare dhe ka rrezikuar stabilitetin financiar të KOSTT-it, e cila sipas ZRRE-së si kompani publike duhej të reagonte me kohë.

ZRRE gjobit KEK-un me mbi 3 milionë euro e KOSTT-in me mbi 400 mijë euro