ZRRE gjobit KEK-un me mbi 3 milionë euro e KOSTT-in me mbi 400 mijë euro

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e sotme ka vendosur gjoba ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Në njoftim bëhet e ditur se ZRRE KEK-un e ka gjobitur me 3.2 milionë euro kurse KOSTT-in me 439 mijë euro.

“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT)”- thuhet në komunikatë.

Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka treguar arsyet për këto gjobitje.

Në seancë gjithashtu janë aprovuar kërkesat për vazhdimin e licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Future Energy Trading and Exchange Dynamics dhe licencës për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ndërmarrjes Danske Commodities Kosova, si dhe është miratuar kërkesa për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes Sharrcem.

“Po ashtu në këtë seancë, bordi ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin për korrigjimin e vendimeve V_1680_2023 dhe V_1681_2023 lidhur me kontestin e ngritur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) ndaj Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO)”- thuhet në komunikatën e ZRRE-së.

Me tej ZRRE thotë se bordi  ka shqyrtuar dhe miratuar 15  kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum nga të cilat 4 vijnë nga ndërmarrjet dhe 11  nga personat fizik me gjithsej 268 kW.

Pjesë e shqyrtimit nga bordi, ZRRE njofton se kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.