Kadri Veseli ankohet për kohëzgjatjen e procesit: Dikush duhet të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës e njëri nga ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, ka ngritur dy çështje gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, më 27.05.2024, në Gjykatën Speciale.

Veseli foli për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor duke kërkuar që Gjykata të garantojë gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, si dhe për mospërmbajtjen në komunikim ndaj avokatit të tij.

“Që nga dita e parë pothuajse kur jemi futur në këtë sallë trupi gjykues, prokuroria i ka kërkuar në mënyrë mjaft transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht secili e kemi ditur se 545 orë me procesin të cilin do të zhvillonin në këtë sallë gjyqësore do të kalonin edhe 3 vjet, përkatësisht 4 vjet, dhe nuk mund ta përfundojë prokuroria edhe në qoftë se fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja dhe as ju si trup gjykues” – tha ai.

Ndonëse tha se nuk do të që paragjykojë, sipas tij është në interes të publikut që dikush të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes që ky proces përveç se të jetë fer, transparent, t’i respektojë procedurat, Kushtetutën e ligjet e Kosovës, edhe të ruajë e të garantojë gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Ai shtoi se frikësohet se çfarë mesazhi përçohet te populli i Kosovës nëse nuk respektohen këto parime.

“Unë frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë vetëm me fatin tonë individual, ka të bëjë me një mesazh të cilin do ta dërgojmë te populli i Kosovës, i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë dhe me besim këtë gjykatë te ju si partnerë tanë ndërkombëtarë dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që t’i cenohet ky besim” – tha Veseli.

Kadri Veseli pati diçka për të thënë edhe për komunikimin e trupit gjyqësor ndaj avokatit të tij, Ben Emmerson.

“I nderuar trupi gjyqësor, kemi krijuar një përvojë bukur të gjatë, por po e shoh një komunikim i cili nuk po më duket shumë normal, as profesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam të drejtë të jap një mesazh. Nuk kisha pasur dëshirë që gjërat që janë jashtë realitetit tim të ndikohet dhe paragjykohet, për arsye se ka një mospërmbajtje shpeshherë, sidomos në adresimet e avokatit tim po flas, i nderuar Ben Emmerson” – përfundoi ai.

Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10.05.2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18.01.2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15.02.2023.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 04 dhe 05.04.2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.