Jep dorëheqje drejtori i Auditimit në SHSKUK, të cilit i ishte djegur vetura dy herë

Ka dhënë dorëheqje drejtori i Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Musa Vitija.

Zyra për Media e SHSKUK-së ka konfirmuar për KALLXO.com se pas shfrytëzimit të pushimit pa pagesë, Vitija ka deklaruar se nuk do të kthehet në punë, pra ka dhënë dorëheqje.

Vitijës i ishte djegur vetura dy herë brenda tre muajve gjatë vitit të kaluar.

Pas djegies së dytë, SHSKUK kishte deklaruar se rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e bordit drejtues të SHSKUK-së ku edhe ishte duke raportuar Vitija.

Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, kryeministri Albin Kurti kishte vizituar SHSKUK-në dhe kishte thënë se Vitija ka gjetur shkelje të shumta të dokumentuara gjatë punës së tij.

“Njëherë më 19 gusht dhe pastaj sërish më 7 tetor iu dogj vetura drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës” – kishte thënë Kurti.

Ai pati thënë se këtë vizitë e ka bërë për të shprehur mbështetjen e tij të parezervë.