Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Detaje nga djegia e veturës së drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me djegien e veturës së drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Musa Vitija.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45 në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Tutje ai tha se dyshohet që nga zjarri ose tymi të jetë prekur edhe një automjet përreth dhe se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Borovci tregoi se Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Gjatë ditës, për ngjarjen në fjalë është deklaruar edhe ShSKUK.

Ata thanë se rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së ku edhe ishte duke raportuar Vitija.

“ShSKUK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se Bordi Drejtues dhe drejtoria e ShSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast.

Kjo pasi djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh.

“Kërkojmë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje” – thuhet në njoftim.

Atij vetura i ishte djegur për herë të parë në gusht të këtij viti.