Jashari: Mitdhënia ishte vetëm në këngën e Butës, nuk ka pasur rast në prokurori 

Në një intervistë ekskluzive në “Kallxo Përnime”, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka folur për vrasjen e Gazmend Hysenit në Ferizaj.

Mesnatën e 28 majit, 30 vjeçari Gazmend Hyseni është vrarë ndërsa i dyshuari kryesor për ngjarjen është Qendrim Januzi, vëllai i këngëtarit Buta.

Kryeprokurori Jashari ka komentuar edhe tekstet e këngës së Butës, ku bëhet fjalë për mitdhënie.

“Këto të gjitha janë supozime, këto kanë dalë vetëm në këngë të Betim Januzi (Buta), nuk kemi rast në prokurori që ka qenë i dyshimtë për tentim vrasje Qendrim Januzi e as Betim Januzi nëse eventualisht ka diçka lirisht ai apo kushdo tjetër le të vjen le të tregon kush është”, tha Jashari duke shtuar se veprat e tyre janë përdorimi i armës, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe lëndim i lehtë trupor.

Jashari ka folur edhe për lidhjen miqësore që e kanë pasur i ndjeri me Butën dhe vëllanë e tij.

“Është fakt se këta kanë qene shokë përpara, Qëndrimi se bashku me vëllain kanë qenë shokë më të ndjerin por arsyeja pse këta nuk bisedojnë një kohë të gjatë nuk kemi njohuri, është një rast që e ka potencuar edhe vetë tani i ndjeri në deklaratën që e ka dhanë. Tek zjarrvënja thotë se unë njëherë e rrezikova jetën për Betim Januzin, ka dashur të thotë së i ka qëndruar si mbrojtje për ndonjë rast”, thotë Jashari.

Ai ka folur edhe për intervistonim e mundshëm të Betim Januzit, i njohur si Buta, në rastin e vrasjes së Gazemnd Hysenit, ku i dyshuar është Qëndrim Januzi, vëllai i Butës.

“Betim Januzi i njohur si Buta ende nuk është intervistuar por besoj se do intervistohet së shpejti, por po e theksoj se telefonat janë marrë dhe janë dërguar në ekzaminim dhe nëse eventualisht këta kanë komunikuar në mes veti, do të zbardhen te gjitha”, ka treguar ai.