Jarinjë, qytetarët detyrohen të ecin këmbë disa kilometra për shkak të bllokimit të rrugës

Qytetarët detyrohen të zbresin në pikën kufitare në Jarinjë dhe të ecin këmbë me kilometra të tërë për ta tejkaluar bllokadën e vendosur nga qytetarët serbë të Kosovës dhe për të vazhduar pastaj drejt lokaliteteve të ndryshme në veri të vendit.

Dhjetëra qytetarë janë parë gjatë ditës së sotme, të cilët kanë ardhur nga Beogradi për në veri të Kosovës, por që nuk kanë pasur mundësi transporti me automjete për shkak të bllokimit të rrugëve.

 

Me valixhe e çanta ata janë parë deri sa kalojnë përmes zonës, ku është e vendosur Policia e Kosovës, në drejtim të Leposaviqit.

Në anën tjetër, qytetarët e veriut te vendit ende po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë ndërsa rrugët i kanë bllokuar me automjete të rënda për të kundërshtuar vendosjen e tabelave të përkohshme të Kosovës për automjetet që hyjnë përmes pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.