(VIDEO & FOTO) Vendosen kamion me zhavorr në hyrje të Leposaviqit

Tetë kamion me zhavorr janë vendosur në fillimin e rrugës së Leposaviqit e cila të dërgon drejt pikës kufitare Jarinjë.

KALLXO.com që po qëndron që nga dita e hënë në ketë zonë, ka parë gjatë ditës së sotme se qytetarët serb kanë sjellë edhe zhavorr me makineritë e rënda dhe të njëjtat i kanë vendosur në hyrje, para bllokadës në afërsi të vendit ku çdo ditë bëhen ndërrimet e forcave policore.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme janë parë makina të shumta private të cilat për shkak të bllokadës së krijuar, janë parkuar përskaj njërës korsi të rrugës e cila të dërgon për Jarinjë.

Këto vetura nuk kanë qenë në numër njëjte sikurse sot, pra kanë qenë më pak.

Nga ora 12 pritet të vijë ndërrimi i zyrtarëve të Policisë se Kosovës. Të njëjtit do të ndërrohen me ekipet të cilat kanë qëndruar gjatë gjithë natës në gjendje gatishmërie në afërsi të pikës kufitare Jarinjë.

Qytetarë të shumtë të veriut të Kosovës janë mbledhur në afërsi të kësaj pike kufitare ndërsa kanë bllokuar totalisht qarkullimin e veturave për shkak të vendosjes së makinerive të rënda si shenjë proteste për vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me zëvendësimin e përkohshëm të tabelave të veturave të cilat hyjnë nga pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Situata e krijuar, sot është parë të vëzhgohet edhe nga helikopterët e KFOR-it.