Ilustrim

Japonia bashkohet në përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT

Japonia do t’i bashkohet ShBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore në bllokimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Kështu tha sot kryeministri japonez Fumio Kishida, raporton Sky News.

“Tokio do të vendosë sanksione ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe do të japë 100 milionë dollarë (74.5 milionë £) në ndihmë humanitare urgjente për Ukrainën”, u tha gjithashtu Kishida gazetarëve.

Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Kanada njoftuan se kanë marrë vendim që t`i përjashtojnë nga sistemi SWIFT disa banka të përzgjedhura të Rusisë.

SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën u themelua në vitin 1973 për ta zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare për të dërguar mesazhe të sigurta dhe urdhërpagesa. Pa asnjë alternativë të pranuar globalisht, është një hidraulik thelbësor për financat globale.

Largimi i Rusisë nga SWIFT do ta bënte pothuajse të pamundur për institucionet financiare dërgimin e parave brenda ose jashtë vendit, duke shkaktuar një tronditje të papritur për kompanitë ruse dhe klientët e tyre të huaj – veçanërisht blerësit e eksporteve të naftës dhe gazit në dollarë amerikanë.

“Ndërprerja do t`i përfundonte të gjitha transaksionet ndërkombëtare, do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe do të shkaktonte dalje masive të kapitalit”, shkroi Maria Shagina, bashkëpunëtore vizitore në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, në një punim vitin e kaluar për Carnegie Moscow Center. Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT do të bënte që ekonomia e saj të tkurret me 5%, vlerësoi ish-ministri i financave Alexei Kudrin në 2014.

SWIFT është me bazë në Belgjikë dhe udhëhiqet nga një bord i përbërë nga 25 persona, duke përfshirë Eddie Astanin, kryetar i bordit drejtues në Qendrën Kryesore të Pastrimit të Kundërpartive të Rusisë. SWIFT, i cili e përshkruan veten si një “shërbim neutral”, është inkorporuar sipas ligjit belg dhe duhet të jetë në përputhje me rregulloret e BE-së.