Izraeli dhe Palestina: Si mund të arrihet paqja

Një proces paqeje mund të shkojë keq në shumë mënyra, mirëpo ekziston edhe një mundësi reale që mund të shkojë në drejtim të duhur

Nëse doni të kuptoni se sa dëshpërimisht izraelitët dhe palestinezët kanë nevojë për paqe, mendoni se çfarë do të ndodhte me ta nëse do të ishin të përfshirë në një gjendje lufte të vazhdueshme. Kundër një ushtrie jashtëzakonisht superiore izraelite, arma më e fuqishme e palestinezëve do të mbetej vdekja dhe vuajtja e popullit të tyre. Fati i Izraelit do të ishte gjithashtu trishtues, nëse do të donte të ishte një demokraci moderne e lulëzuar. Nëse Izraeli mbështetet përgjithmonë në ushtrinë e tij për t’i nënshtruar palestinezët, ai do të shndërrohej në një paria që e zbaton aparteidin. Izraelitët që kryejnë akte të përditshme represioni, të shoqëruara me raunde vrasjesh, vetë do të korruptoheshin. Për dy njerëz të mbyllur në një përqafim të dhunshëm, shpëtimi i vetëm i tyre mbetet paqja.

Por si të arrijmë në atë pikë? Izraelitët ende po po ndihen të tmerruar nga përdhunimi dhe vrasja e 7 tetorit. Palestinezët po i shikojnë trupat e gjymtyar dhe të shpërfytyruar të grave dhe fëmijëve të grumbulluar në Gaza. Mes masakrës, nxitja e të huajve për paqe duket naive. Përveç kësaj, palestinezët dhe izraelitët e lodhur i shohin bisedimet e pafundme si një mekanizëm për ta vonuar paqen, jo për ta falsifikuar atë. Negociatorët në të kaluarën kanë shkërrmoqur pothuajse çdo ndryshim të imagjinueshëm të shkëmbimit të tokave dhe marrëveshjeve të sigurisë. Të gjitha kanë dështuar.

E megjithatë diçka ndryshoi pas 7 tetorit. Strategjia e Izraelit për t’i margjinalizuar palestinezët dhe ëndrrat e tyre është thyer. Të dyja palët kanë një shans për të gjetur liderë të rinj me një vizion të ri. Dhe pas vitesh neglizhence, të huajt mund të jenë gati për të ndihmuar, duke përfshirë në mënyrë thelbësore një grup vendesh arabe. Ata nuk duhet të bien në grackën e të menduarit se paqja kërkon djersitje të detajeve sërish. Suksesi varet nga të dyja palët që duan paqen dhe – shumë më vështirë – të besojnë në të.

Nëse lufta do të ketë ndonjë kuptim, ajo duhet të rezultojë me paqe, që do të thotë se dy kombe jetojnë krah për krah njëra-tjetrës. Bombardimet e Izraelit kanë vrarë mbi 16,000 palestinezë, përfshirë luftëtarët e Hamasit. Edhe pse disa palestinezë janë radikalizuar nga kjo dhe poshtërimet e përditshme të pushtimit, shumë prej tyre e urrejnë Hamasin dhe luftërat e tij të pafitueshme dhe do të jetonin me Izraelin nëse do të mund të prosperonin në të ardhmen. Për sa kohë që burrat me armë nuk u pengojnë, ata njerëz do të kërkojnë paqe. Edhe Izraeli ka nevojë për një strategji të re. E vjetra nuk arriti ta përmbushte premtimin bazë të shtetit për ta krijuar një strehë të sigurt për hebrenjtë; 1400 njerëz u vranë ose u rrëmbyen nga Hamasi dhe qindra mijëra të tjerë janë evakuuar.

Paqja kërkon edhe liderë të rinj, sepse këta të tanishmit janë të diskredituar. Në Izrael Binyamin Netanyahu është një pengesë për një pajtim të vërtetë, sa më shpejt të largohet nga pushteti aq më mirë. Amerika mund të sinjalizojë në mënyrë të dobishme se pret që Izraeli të mbajë zgjedhje së shpejti. Sondazhet sugjerojnë se ai do të zëvendësohet nga Benny Gantz, një ish-gjeneral që e kupton koston e luftës. Gantz nuk ka dhënë miratimin e tij për një shtet palestinez, por as nuk e ka përjashtuar një të tillë.

Udhëheqja e re palestineze është gjithashtu e nevojshme. Hamasi është një armik i shpallur i paqes: për sa kohë që ai udhëheqë me Gazën, zotimet palestineze për ta përqafuar paqen nuk do të jenë të besueshme. Në Bregun Perëndimor, Mahmoud Abbas, i cili udhëheqë me Autoritetin Palestinez (PA), është i korruptuar, i ngjeshur dhe i mungon çdo legjitimitet demokratik. Mes rrënojave të luftës, Gazës do t’i duhet kohë për ta rindërtuar dhe rivendosur një lloj administrate të qëndrueshme. Vendet e moderuara arabe duhet ta sponsorizojnë një udhëheqje palestineze tranzitore për Bregun Perëndimor dhe Gazën, e cila mund të fillojë së ndërtuari besimin midis popullit të vet dhe, në mënyrë jetike, me izraelitët, përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Duke udhëhequr me Gazën dhe Bregun Perëndimor, ajo do të bëhej një partner më i besueshëm për paqen.

Një gjë e tillë çon në proces. Marrëveshja e Oslos, e arritur në vitin 1993 me një shtrëngim duarsh të kujdesshëm në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, i la deri në fund detajet më të vështira. Çdo pëllëmbë progres duhej të nxirrej nga të dy palët. Kjo e konsumoi gradualisht besimin se suksesi ishte i mundur.

Një proces i ri duhet të arrihet herët. Të dyja palët do të duhet të përballen me ekstremistët e tyre, të cilët do ta sabotonin bashkëjetesën. PA duhet t’i mbyllë grupet e armatosura, t’i parandalojë terroristët dhe ta trajtojë korrupsionin. Rritja e ekonomisë kërkon marrëveshje të shumta me Izraelin mbi tregtinë, shërbimet komunale dhe lejet e punës. Palestinezët duhet të dinë se po fitojnë liri dhe të drejta.

Shkëmbimi i tokës mund të presë, por Izraeli duhet të merret me vendbanimet shumë të thella në Bregun Perëndimor për të qenë ndonjëherë pjesë e Izraelit. Duhet të fillojë t’i kontrollojë ata dhe t’i ndalojë ata të zgjerohen më tej. Duhet të jetë e qartë se rreth 100,000 kolonët që jetojnë në to përfundimisht do të duhet të lëvizin ose të bien nën sundimin palestinez.

Një gjë e tillë është shumë e vështirë për izraelitët dhe palestinezët për ta bërë vetë, kështu që bota e jashtme duhet të përfshihet. Nën Oslo, Amerika ishte sponsori, por ajo luftoi për të ushtruar presion mbi Izraelin, i cili mund të siguronte mbështetje të jashtëzakonshme në Kongres.

Këtë herë, bota arabe duhet ta luajë rolin vendimtar. Sipas Marrëveshjeve të Abrahamit, të negociuara gjatë administratës Trump, disa vende e njohën Izraelin. Kjo ishte pjesë e një vizioni për Lindjen e Mesme të bazuar në tregti dhe prosperitet dhe jo në ideologji. Paratë e tyre do të kërkohen për ta rindërtuar Gazën. Ushtarët e tyre mund të ndihmojnë në ofrimin e sigurisë kur Izraeli të largohet nga brezi, gjë që duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse ata punojnë bashkarisht, ata mund t’a lënë Hamasin të uritur për para dhe strehim, duke i devijuar fondet për rindërtim. Pesha e tyre mund t’i japë një lideri palestinez tranzitor mbulesë diplomatike teksa ai e vendos veten dhe administratën e tij.

Çelësi është presioni i hershëm i ushtruar nga Amerika dhe Arabia Saudite mbi Izraelin dhe palestinezët. AP argumenton se paqja mund të fillojë nëse Amerika dhe Bashkimi Evropian i dërgojnë Izraelit një sinjal duke e njohur një shtet palestinez në fillim – një ide e miratuar nga Spanja, e cila e mban presidencën e BE-së. Amerika duhet ta përmbushë premtimin e saj për ta hapur një mision diplomatik për palestinezët në Jerusalem. Mirëpo njohja e plotë e Palestinës nga Perëndimi dhe e Izraelit nga Arabia Saudite duhet të konsiderohet si shpërblim për të ardhmen, si një nxitje për përparim.

Koha për ta bërë një gjë të tillë është e shkurtër. E djathta anti-palestineze e Izraelit do të mbetet e fortë. Pasi kjo qeveri të bjerë, qeveria e ardhshme mund ta ketë vetëm një mandat të vetëm për ta rindezur besimin e izraelitëve se paqja është e mundur. Në AP, një udhëheqës i ri do të përballet me armiqtë që u dhjamosën nën sistemin e kalbur të sotëm. Çfarëdo që mbetet nga Hamasi do të përpiqet ta prishë paqen, ashtu si Irani dhe përfaqësuesit e tij, të cilët lulëzojnë në kaos dhe grindje. Administrata Biden mund të jetë e gatshme të bëjë presion ndaj Izraelit; administrata Trump mund të mos jetë. Nëse lufta e përhershme nuk do të shkatërrojë dy kombe, izraelitët, palestinezët dhe të gjithë ata që i duan ata duhet ta shfrytëzojnë momentumin e tanishëm./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala