Bedri Kukalaj

Ish-ushtari i UÇK-së tregon se si u zunë në pritë duke bartuar armatim nga Shqipëria

Ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, ka thënë se në mars të vitit 1998 fshati Gllogjan ka nisur të mobiliziohet për të marrë masa pas asaj që kishte ndodhur në Prekaz me Jasharët.

“Ne jemi mobilizuar në fillim të prillit 1998, jemi mobilzuar si fshat dhe janë caktuar grupet se kush do jetë në vijë të frontit. Ne të gjithë shqiptarët e kemi parë se çfarë dhune bëri Serbia në Prekaz, kjo na motivoi të mobilizohemi”, ka thënë ai.

Në emisionin “Kallxo Përnime” Kukalaj ka thënë se 67 burra nga fshati Prilep janë nisur për në Shqipëri që të bartin armatim.

“Vetëm prej Prilepit jemi caktu 67 burra për bartje të armatimit, kam qenë 19-vjeçar, më 22 prill kemi shku në Shqipëri për armatosje. Disa i kemi ble, disa na janë dhënë. Paratë të gjithë i kemi marrë prej shtëpisë. Prej fshatit deri në Tropojë kishim udhëtim diku 13-14 orë, por nuk e ndjenim pasi ishin shumë të motivuar. Herën e dytë që po bartnim armatim më 27 prill 1998 kemi rënë në pritë të ushtrisë serbe”, shtoi tutje Kukalaj.

Ai shtoi se ushtarët i kishin sjellë me helikopterë nga kazerma e Nishit.

‘Ushtarët i kishin sjellë me helikopter prej kazermës së Nishit, nuk ka qenë me makina. Aty pastaj ka pasë luftim rreth 4 orë, neve na janë vra tre ushtarë, kurse katër jemi arrestu. Ata kanë qenë rreth 70. Ne kemi qenë pak pasi pjesa tjetër janë tërhequr prapa, kur e kanë vërejtur se po na zënë”, shtoi Kukalaj.

Sipas tij, në anën e serbëve kane qenë katër të vrarë dhe tre të plagosur.

Kukalaj shtoi se një polic serb i fshatit u ishte afruar dhe i ka ofenduar në mënyra të ndryshme.

“Na është afruar një polic serb i fshatit dhe po na fliste shqip “Ku po shkoni, çka doni me ba?” e shumë fjalë ofenduese. Ai ka qenë ‘shumar’, pastaj është veshur në uniformë”, shtoi ai.

Sipas tij, në atë vend më pas i kanë sjellë disa media të Serbisë për t’i xhiruar.

“Me helikopterë i kanë tërheq trupat e tyre, më pas edhe ushtarët. Në fund na kanë marrë neve dhe na kanë sjellë media prej Serbisë duke na marrë në pyetje. Prej aty me helikopterë na kanë dërguar në kazermën ushtarake në Nish”, tha Kukalaj.