Ish-ushtari i UÇK-së rrëfen detaje të masakrës në Burgun e Dubravës

Ish-ushtari i UÇK-së Bedri Kukalaj ka thënë se kur i kanë dërguar nga burgu i Nishit në atë të Dubravës kanë përjetuar vazhdimisht keqtrajtime nga gardianët.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se edhe ushqimin e kanë pasur me urdhër, derisa kujton edhe ditën kur u lirua Ukshin Hoti.

“Kur kemi shku në Dubravë, aty kishte qenë tmerr, aty edhe ushqimi ka qenë katastrofë, nuk guxonim të hanim pa na u dhënë urdhri. Më 16 maj 1999 teksa po ktheheshim nga kuzhina ku ushqeheshim, Ukshin Hoti ka qenë në kolonë me neve, të cilit dy gardianë i thanë të shkonte të bënte gati rrobat pasi do lirohej. Ne e kemi përcjellë kurse ai na kanë thënë: “Lirimi im ka diçka politike, por nëse dal i gjallë, ju do jeni të sigurt”, ka thënë Kukalaj.

Kukalaj shtoi se prej kur i kanë sjellë në Dubravë e dinin se do i vrisnin, por ndiheshin të liruar se eshtrat do i kishin në Kosovë.

Sipas tij, para se të silleshin të burgosit shqiptarë, në Dubravë ka pasur paramilitarë të stacionuar.

“Para se të nisnin bombardimet, në Dubravë kanë qenë të stacionaur paramilitarë të shumtë, neve na kanë sjellë aty pasi kanë konsideruar që nëse NATO bombardon t’i vrasin shqiptarët. NATO nuk i ka prekur dhomat e të burgosurve, vetëm pikat e vrojtimit”, shtoi ai.

Kukalaj tha se gjatë sulmeve të NATO-s tre ditë kanë fjetur në oborr, e më pas kishte ndodhur masakra ndaj të burgosurve.

“Prej 19-22 maj 1999 kemi fjetë në oborre pasi ka pasë gjuajtje. Më 22 maj një gardian ka dalë në pikë të vrojtimit, i cili na ka thënë: ‘Përgatituni në gjithë se këtu nuk ka më vend të sigurt, duhet me ju tërheq prej këtu’. Ne gjatë natës patëm dëgju shumë kamionë përtej murit të burgut. U patëm bë rresht afër murit mbi 900 persona, pastaj prej përtej murit na kanë hedhur bomba dore, aty më pas filloi masakra, e gjitha kjo edhe me automatikë”, ka thënë Kukalaj.

Sipas tij, të burgosurit serbë nuk kanë qenë në rreshtim si shqiptarët, por brenda, u janë dhënë armë për t’i vrarë ata që kanë mbijetuar.

Ish-ushtari potencoi se të nesërmen i kishin sjellë mediat nga Serbia, të cilat dhanë lajmin se kinse masakra ishte shkaktuar nga sulmi i NATO-s.

“Të nesërmen i kanë leju të gjitha mediat e Serbisë të hyjnë nëpër burg dhe të marrin pamje, kinse ka qenë sulm i NATO-s. Derisa neve na kanë kërcënuar që nuk guxojmë të tregojmë se kush na ka pushkatuar. Unë rreth 36 orë kam qenë pa vetëdije në mesin e të vdekurve ku edhe kam marrë plagë, prej aty më kanë dërgu në një sallë, ku na kanë thënë se më nuk na ngacmojnë”, shtoi Kukalaj.