Bedri Kukalaj

Rrëfimi i të mbijetuarit të Dubravës, paramilitari na godiste me thikë në kokë

Ish-ushtari i UÇK-së Bedri Kukalaj thotë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, shqiptarët në burgjet e Serbisë po i sillnin në Dubravë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tregoi se si një avion i NATO-s kishte sulmuar një tank të ushtrisë serbe teksa po përcillnin autobusët me të burgosur.

“Më 30 prill 1999 prej të gjitha burgjeve në Serbi kishin mbledhur shqiptarët dhe po na sillnin në burgun e Dubravës në Kosovë. Kur kemi hyrë në Kosovë i kemi dëgju edhe avionët e NATO-s. Gardianët pastaj ikën prej autobusit dhe na lanë vetëm neve, para syve tanë një avion i NATO-s ka hedhur raketë mbi një tank serb dhe e ka hedhur poshtë një ure”, ka thënë Kukalaj.

Kukalaj tha se të burgosurit kanë qenë të lidhur me zinxhir për karrige të autobusit.

Ai shtoi se në atë moment një paramilitar ka hyrë në autobusin e tyre dhe ka filluar t’i godasë me thikë në kokë.

“Ne kemi qenë të lidhur me zinxhir për karrige. Aty pastaj ka hyrë një paramiltar me një thikë, gardiani ka dashur me ndal duke i thënë se ne jemi përgjegjësi e tij, por ky paramilitari filloi t’i ofendonte pse po na mbronte, se për shkakun tonë po i sulmonte NATO. Pastaj ka fillu t’i godasë me thikë njerëzit në kokë. Prej aty një natë kemi qenë në Lipjan dhe askush nuk na ka dhënë ndihmë”, thotë Kukalaj.

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se të nesërmen i kanë dërguar në Dubravë ku edhe kanë përjetuar tmerrin.