Bedri Kukalaj

Kukalaj: Isha i plagosur, në burgun e Nishit më ofruan trajtim mjekësor vetëm pas 4 ditësh

Ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, i cili kishte mbetur i plagosur nga zënia në pritë prej serbëve teksa po bartnin armatim nga Shqipëria, thotë se ndihmën mjekësore e ka marrë vetëm pas katër ditësh në burgun ushtarak të Nishit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se avokat i ishte caktuar Azem Vllasi, i cili edhe kishte kërkuar trajtimin e tij.

“Pas plagëve që mora nga zënia në pritë dhe dërgimi në burgun e Nishit e kam marrë një trajtim mjekësor pas 4 ditësh. Azem Vllasin e kam pasë avokat në Nish, i cili më ka thënë se do kujdeset për mua. Unë kam kërku ndihmë mjekësore, pastaj prokurori në prezencë të Vllasit i ka thirrur mjekët”, ka thënë Kukalaj.

Kukalaj shtoi se ishte dënuar me 13 vite burg, derisa me shokët e tjerë nuk i kanë lejuar të kenë kontakte.

“100 ditë pas qëndrimit në paraburgim, jam dënuar me 13 vite burg, edhe shokët kanë qenë në atë burg, një vit s’i kam parë pasi nuk na linin të kishim kontakte”, shtoi ai.

Ai shtoi se gardianët ua kanë treguar masakrën e Mejës të pacensuruar për t’i demoralizuar.

“Kur është bërë masakra e Mejës, na ka demoralizuar shumë. Nuk i kanë censuruar këto raste, na linin t’i shihnim”, shtoi ai.

Sipas Kukalajt, prej nisjes së bombardimeve ka nisur edhe shumëfishimi i maltretimeve.

“Prej kur kanë nisur bombardimet na janë trefishuar maltretimet. Kjo ka ndodhë në burgin civil pasi në atë ushtarak ku kam qenë i paraburgosur, ka pasë më shumë kontroll. Në burgun civil nuk ka pasë as ushqim, tre herë në ditë kemi pas maltretime. Edhe ushqimin që na i sillnin na i hidhnin fytyrës”, shtoi ai.

Kukalaj kujton edhe disa fjalë që i kishtë thënë një gardian në burgun e Nishit kur kanë nisur bombardimet.

“Kur filluan bombardimet, gardiani i burgut në Nish, një që është sjellë më mirë, më ka thënë se prej sot i lau duart Serbia”, tha ai.