Bedri Kukalaj

Ish-ushtari i UÇK-së i plagosur në masakrën e Dubravës: Në Prishtinë më kanë operuar pa anestezion

Ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Kukalaj, thotë se në Prishitnë e operuan pa anestezion nga plagët që kishte marrë në masakrën e burgut të Dubravës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se dy ditë pas masakrës fillimisht e kanë dërguar në Lipjan e prej aty në spital në Prishtinë.

‘Më datë 24 maj 1999 më kanë dërgu në Lipjan për shkak të plagëve që mora nga masakra në burgun e Dubravës, prej aty në spital në Prishtinë, aty më kanë futur në operim pa opium. Operimi është kryer nga një mjek rus. Aty ka qenë një motër shqiptare e cila ka reaguar kur ka parë që po më operojnë ashtu, pastaj një polic më ka goditur me boks dhe e kam humbur vetëdijen”, ka thënë Kukalaj.

Ish-ushtari thekson se i ka ndjerë të gjitha dhimbjet nga prerjet në trup gjatë operimit. Kurse trupin, sipas tij, e ka pasur të lidhur për krevati që të mos lëvizte.

Ai shtoi se motra medicinale shqiptare që ka qenë në dhomë të operimit i ka thënë se me atë ditë do largohet.

“E mbaj mend që ajo motra shqiptare kur e kam kry operimin më ka thënë: “Kuku, i lumi ti, qysh e përballove këtë, e unë me sot ika prej këtu. Zoti jua bëftë çaren”, ka thënë ai.

Bedri Kukalaj tha se në spital ka qëndruar katër ditë e prej aty është dërguar prapë në Lipjan.