Ish-ministri i jashtëm: Ka përpjekje të Serbisë të na e suspendojë anëtarësimin në organizata

Ish-ministrit i Jashtëm njëherësh deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në dy-tri javët e fundit ka përpjekje nga ana e Serbisë që të suspendojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj tha se për këtë janë në dijeni edhe diplomatët kosovarë.

“Përveç mosaplikimit në organizata ndërkombëtare ka një përpjekje të Serbisë edhe këto dy-tri javët e fundit, aty ku jemi anëtarësuar me na suspendu anëtarësimin. Aty ku jemi anëtarësuar mos me pas të drejtë vote, mos me mujtë me pagu pagesën e anëtarësisë, mos me pas të drejtë me zgjedhë të tjerë, mos me i marrë as obligimet as përgjegjësitë e as privilegjet që i ka shteti”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

“Po flas për situara reale të cilat korpusi jonë diplomatik i di se në cilat vende ndodhi”, shtoi Hoxhaj.

Kuvendi po mban interpelancë me kryeministrin e Kosovës  Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.