Ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha vazhdon dëshminë në Hagë në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në sallat e drejtësisë në Hagë, Sadik Halitjaha, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po vazhdon të japë dëshmi.

Halitjaha është dëshmitar i ftuar në gjyqin e Dhomave të Specializuara, ku po shqyrtohen akuzat kundër Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sadik Halitjaha, dëshmitari i 36-të i ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS), ka filluar të deklarohet nga data 13 dhe 15 nëntor. Duke sjellë përpara gjykatës detaje të ngjarjeve, ai ka hedhur dritë mbi vartësit e ndryshëm të UÇK-së dhe ka rrëfyer për krime të pretenduara.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genël Metro dhe Fergal Gejnor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.