Irani: Shkalla e lartë e vuajtjeve civile nga Izraeli mund të çoj në zgjerim të konfliktit

Irani ka paralajmëruar se shkalla e vuajtjeve civile të shkaktuara nga lufta e Izraelit ndaj Hamasit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një zgjerim të konfliktit, raporton Reuters.

“Për shkak të zgjerimit të intensitetit të luftës kundër banorëve civilë të Gazës, zgjerimi i fushës së luftës është bërë i pashmangshëm” – i ka thënë ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, homologut të tij nga Katari, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani të enjten në mbrëmje.

Televizioni shtetëror iranian Press TV i raportoi komentet, të bëra gjatë një bisede telefonike, të premten.

Komentet mund t’i rrisin shqetësimet nëse përpjekjet diplomatike të Uashingtonit dhe vendosja e forcave detare amerikane në Mesdheun lindor do të jenë në gjendje të parandalojnë konfliktin nga destabilizimi i mëtejshëm i Lindjes së Mesme, vëren Reuters.

Bombardimet dhe rrethimi i Gazës nga Izraeli gjatë muajit të kaluar ka krijuar një katastrofë humanitare me mijëra që kërkojnë trajtim mjekësor dhe strehim në ato pak spitale ende të hapura, me ata në zonën e luftimit që veprojnë në rrezik të madh./Reuters