Instituti i Stokholmit: Lufta në Ukrainë ka nxitur shpenzime rekord globale për ushtrinë

Shpenzimet ushtarake globale janë rritur në nivel rekord vitin e kaluar, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë e shkaktoi rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë tri dekada më parë, thotë Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), një prej instituteve udhëheqës të konfliktit dhe armatimeve.

Sipas institutit të lartcekur, shpenzimet ushtarake botërore u rritën me 3.7% në terma realë në vitin 2022 në 2.24 trilionë dollarë.

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili filloi në shkurt të vitit të kaluar pas viteve të tensioneve në rritje, ka nxitur vendet evropiane të përshpejtojnë në forcimin e mbrojtjes së tyre.

Ndërkohë, Moska zyrtare thotë se “operacioni i saj special ushtarak” ishte i nevojshëm për ta mbrojtur atë kundër asaj që e sheh si një Perëndim armiqësor dhe agresiv. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se Rusia po zhvillon një luftë të paprovokuar që ka si qëllimin rrëmbimin e territorit ukrainas.

Shpenzimet ushtarake evropiane u rritën me 13% vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rritjeve nga Rusia dhe Ukraina, por me shumë vende anembanë kontinentit gjithashtu duke i rritur buxhetet ushtarake dhe duke planifikuar më shumë mes tensioneve në rritje.

“Kjo ka përfshirë plane shumëvjeçare për t’i rritur shpenzimet nga disa qeveri”, thotë studiuesi i lartë i SIPRI Diego Lopes da Silva. “Si rezultat, mund të presim në mënyrë të arsyeshme që shpenzimet ushtarake në Evropën Qendrore dhe Perëndimore të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim”.

Shpenzimet ushtarake të Ukrainës u rritën me 640% në vitin 2022, rritja më e madhe vjetore e regjistruar në të dhënat e SIPRI që nga viti 1949, një total ky i cili nuk i përfshin shumat e mëdha të ndihmës financiare ushtarake të ofruar nga Perëndimi.

SIPRI vlerëson se ndihma ushtarake për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara përbën 2.3% të shpenzimeve totale ushtarake të SHBA-së në vitin 2022. Megjithëse Shtetet e Bashkuara ishin shpenzuesit kryesorë në botë deri tani, shpenzimet e përgjithshme të saj u rritën vetëm pak në terma realë.

Ndërkohë, shpenzimet ushtarake të Rusisë kanë shënuar rritje me rreth 9.2%, megjithëse SIPRI pranon se shifrat ishin “shumë të pasigurta duke pasur parasysh paqartësinë në rritje të autoriteteve financiare” që nga fillimi i luftës së saj në Ukrainë.

“Dallimi midis planeve buxhetore të Rusisë dhe shpenzimeve të saj aktuale ushtarake në vitin 2022 sugjeron se pushtimi i Ukrainës i ka kushtuar Rusisë shumë më tepër sesa pritej”, thotë Lucie Beraud-Sudreau, Drejtoreshë e Programit të Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve të SIPRI./Reuters

Përgatiti: Nuhi Shala