Kamenica - ARKIV

Inspektorati mbyll një lokal të paregjistruar në Kamenicë

Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se Inspektorati ka mbyllur një lokal i cili ushtronte veprimtarinë e shërbimeve rekreative (biliard, flipera, pingpong) në Kamenicë.

Kjo komunë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se lokali është mbyllur përkohësisht nga Inspektorati për shkak që nuk ka certifikatë të regjistrimit, dhe se nuk ka pëlqim për ushtrimin e veprimtarisë nga organi kompetent.

“Lokalit i ndalohet përkohësisht veprimtaria nga inspektorati komunal deri në pajisjen me certifikatë të regjistrimit të biznesit dhe pëlqimit për ushtrimin e veprimtarisë”, thuhet në njoftim për media të Komunës së Kamenicë.