Inspektorati i Punës pezullon punën në tri punishte në Skenderaj

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje nga inspektimi i Inspektoratit të Punës në tri objekte, të cilat janë duke u ndërtuar në Skenderaj.

Sipas të dhënave zyrtare, 98.5% e bizneseve në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa e vlerësuar rrezikun në vendin e punës.

Sektori me më së shumti probleme është ai i ndërtimtarisë.

Sipas të dhënave, nga puna në këtë sektor humbin jetën shumë persona brenda një viti.

Ankesa e një qytetari pretendonte se përballë stacionit të Policisë një objekt i cili është në ndërtim e sipër nuk është i siguruar sipas standardeve të punës.

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi dhe udhëheqësi i Inspektoratit në Mitrovicë, Nexhat Fazliu, kanë inspektuar këto objekte.

“Ky subjekt është gjobitur edhe më herët andaj në këtë rast cilësohet si recidivist” – ka thënë Laura Mustafa Berisha nga Inspektorati i Punës.

Udhëzimet për inspektorët janë të qarta.

Përpos sigurisë në punë obligohen të verifikojnë edhe faktet nëse punëtoret kanë kontrata pune, marrin ditë pushimi dhe kompensohen për punën shtesë.

Inspektorët kanë gjetur që në këto punishte, punëtorët të cilët ishin aty nuk kishin as kontrata të punës.

Gjithashtu nuk kishte as siguri në punë.

“Objekti në këtë kat është komplet pa skele, pa kurrfarë sigurie në punë. Të gjitha hapësirat janë të hapura, nuk ka as mjete mbrojtëse” – ka shtuar më tej Laura Mustafa Berisha.

Pas këtyre shkeljeve që u evidentuan nga Inspektorati i Punës, këtyre bizneseve u është ndërprerë puna.