Ministrja Rozeta Hajdari flet për 25 inspektorët serbë "që marrin rrogë pa punuar"

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka folur në lidhje me 25 inspektorët serbë në Mitrovicën e Veriut, për të cilët ditë më parë ish-ministri Bajram Hasani tha se vazhdojnë të marrin paga pa punuar.

Hajdari tha se në Ministri ka mungesë të hapësirës edhe për dy departamente, e sipas saj, kur të zgjidhet problemi i hapësirave, do të trajtohen edhe 25 inspektorët në Mitrovicën e Veriut.

Ajo tha se inspektorët do të integrohen dhe do të kenë trajtim të mirë.

“Ne në Ministri, kemi mungesë të hapësirës edhe për dy departamente, nuk kemi tani për tani vend për Departamentin e inovacionit dhe atë të ndërmarrësisë. Në të njëjtën kohë, kemi shqyrtimin e alokimit të 25 inspektorëve të tregut, jemi në kontakt me ta dhe menjëherë sapo të zgjidhet problemi, do të trajtohen edhe ata. Qëllimi është që ata të kenë trajtim të mirë dhe të integrohen”, ka thënë Hajdari.

Ditë më parë ish-ministri Bajram Hasani tha se në kohën kur kishte qenë ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ishte pyetur nga deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, në Parlament, rreth inspektorëve serbë në Mitrovicën Veriore.

Hasani ia kishte ‘përkujtuar’ Vetëvendosjes këtë pyetje të Zybës, duke thënë se tash e kanë fuqinë politike të veprojnë.

Bajram Hasani e fton LVV-në t’i largojë inspektorët serbë që nuk dalin në vendin e punës