Ilir Meta

Ilir Meta: Kosova është shembull për disa vende të rajonit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nisur sot vizitën zyrtare në Kosovë. Ai në një seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar deputetëve.

Në fjalën e tij, Meta tha se Kosova duhet të merret shembull nga vendet e rajonit por edhe Shqipërisë për zhvillimin në 14 vitet e pavarësisë.

“Shteti i ri i Kosovës është shembull për disa vendet e rajonit por edhe shembull për Shqipërinë në disa raste. Gjithçka e lidh Kosovën dhe Shqipërinë, gjuha, historia, interesat. Jemi krenar që kemi zgjedhur të jemi në  anën e duhur të historisë, pro NATO-së dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria kremton 110 vjetorin e pavarësisë këtë vit, por mundet veç të marrë shembull të ushtrimit të demokracisë në Kosovë. Kosova është gjithnjë e më shumë një faktor i rëndësishëm në rajon”, tha ai.

Meta bëri thirrje që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvzija e lirë në Evropë duke e quajtur të padrejtë mosliberalizimin e vizave.

“Është diskriminim që e dinë të gjithë dhe që pranohet nga të tërë që Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat dhe qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë. Ato pesë vende anëtarë të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovë, duhet të dinë një gjë, që Kosova është rast ‘sui generis’, nuk mund të tërheqin paralele me asnjë vend tjetër”, tha ai.

Pas fjalës së Metës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e falënderoi atë në emër të të gjithë deputetëve dhe mbylli seancën.