Ministria e Shëndetësisë blen teste për coronavirus

Ministria e Shëndetësisë përmes një procedure emergjente me kontratë të negociuar ka blerë 3,000 teste për coronavirusin COVID-19.

Sipas kontratës së nënshkruar “Furnizim Emergjent me material laboratorik për testim në SARS-COV-2 për Corona-Virus”, Ministria e Shëndetësisë ka blerë 20 pako me nga 150 teste, që në total kanë kushtuar 17,000 euro.

Sipas kontratës secila pako (kite), e cila përmban 150 teste brenda, ka kushtuar nga 850 euro dhe kanë origjinë nga Anglia. Koha për furnizimin e ministrisë me këto teste dhe materiale të tjera është paraparë të bëhet brenda 10 ditëve, nga dita e nënshkrimit të kontratës.

Me këtë kontratë, të nënshkruar me “Eramed” në vlerë prej 123 mijë euro, Ministria e Shëndetësisë ka blerë edhe mjete të tjera që iu nevojiten për kryerjen e analizave për COVID-19.

Në materialin harxhues që ka blerë Ministria e Shëndetësisë përfshihen artikuj që janë të lidhur me marrjen e mostrës nga personat e dyshimtë me infeksion, mbrojtjen e personelit nga infeksioni si dhe artikuj që bëjnë të mundur detektimin e virusit në mostër përmes metodës Real Time PCR në laboratorët e IKShPK-së.

Javën që shkoi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka thënë se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë 1,000 teste për personat të cilët dyshohen me COVID-19, ndërsa shumë shpejtë pritet të vijnë edhe 7,000 të tjerë.

“Momentalisht në Institutin e Shëndetësisë Publike janë 1,000 teste dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7,000 të tjera që do të vijnë në fillim të javës që vjen dhe po ashtu është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas tyre”, tha Vitia.

KALLXO.com ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 88 mijë euro për furnizim me 11 mijë veshje mbrojtëse të madhësive të ndryshme për mbrojte nga coronavirusi. Gjithashtu është nënshkruar kontrata për blerjen e 25,500 maska respiratore në vlerë prej 203,745 mijë eurove.

Përveç tyre, ministria e Shëndetësisë ka blerë edhe: 6 mijë mburoja për fytyrë në vlerë prej 28,320 mijë eurove; 1 mijë syze mbrojtëse në vlerë prej 2,500 mijë eurove; 10 mijë çarçafë për një përdorim në vlerë prej 28,500 mijë eurove.

Këto blerje janë bërë në kuadër të një tenderi të ndarë në 10 lote, e cila është nënshkruar me tri kompani të ndryshme: “Neramed & Genius Kosova”, “Made-Kos” dhe “Liri-Med”. Vlera totale e këtyre kontratave të nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë është 351,065 euro.

Ndërsa nuk ka blerë sasinë e planifikuar prej 5,209 dezinfektuesve për duar së bashku me dispanzer si dhe nuk ka blerë sasinë e planifikuar prej 150 termometrave infra të kuq për ballë.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar se sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, për dy ditë në Kosovë kanë hyrë 4 mijë e 669 litra dezinfektues të duarve nga Turqia.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).