Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe i mbijetuar i gjenocidit në Srebrenicë

I mbijetuari i gjenocidit në Srebrenicë: Nuk mund të ketë drejtësi për krime të nivelit të tillë

Për të mbijetuarin e masakrës në Srebrenicë, Emir Suljagiq nuk mund të ketë drejtësi për krimet e nivelit që janë kryer në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Suljagiq, që tani është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë tha se Rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë paraqet vetëm një njohje politike e morale për një gjeneratë të tërë të Bosnje dhe Hercegovinës dhe një mirënjohje për punën e vuajtjet e nënave dhe familjeve atje.

“Por nuk do të thoja që është drejtësi. Në këtë botë nuk e hasim drejtësinë, nuk mund të ketë drejtësi për krimet e nivelit çfarë janë kryer në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë” – tha ai, i pyetur nëse është gjetur drejtësi për Srebrenicën.

Ai ishte pjesë e konferencës së hapjes së ekspozitës “Reporting House”, e cila prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, atij iu dhurua Çelësi i Kryeqytetit nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kjo ekspozitë e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery hapet sot më 10.06.2024 në orën 18:00.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar më 23.05.2024, me 84 vota për propozim-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.