I ftohti në sallën e sporteve në Ferizaj vështirëson aktivitetet e sportistëve - VIDEO
Në sallën e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, i ftohti po vështirëson aktivitetet e sportistëve. I ftohti është pasojë e mungesës së disa xhamave të dritareve në këtë objekt.
Artan Jashari, Ndihmëstrajner i Klubit Basketbollistik “Kastrioti” tregoi se edhe pse i lëshojnë ngrohëset, ato nuk kryejnë punë.
“Po e shihni edhe vetë që salla nuk është duke i plotësu kushtet as 50% për stërvitje. Është çelë një pjesë andej komplet. Nxemjet po i lëshojmë, po puna që nuk po funksionojnë sa duhet se në ambient të hapur jemi duke ushtru, pa dritare. Po presim që po bëhet mirë, tash ta kqyrim” – tha ai.
Kjo gjendje po i pengon edhe volejbollistes nga Kanadaja e cila luan për Klubin Volejbollistik “Kastrioti”, Taylor Collombin, e cila tha se është falënderuese që është në Kosovë, por jo edhe për kushtet në atë sallë.
“Ne nuk mund të luajmë në atë lloj ambienti, nëse duam t’i mbajmë trupat tanë të shëndetshëm dhe të mund të garojmë në nivele të larta” – tha Collombin.
Objekti i kësaj palestre ka filluar të rinovohet që nga pranvera e vitit të kaluar, por punimet nuk kanë përfunduar ende.
Jashari tha se kanë pasur katër muaj pauzë për shkak të rinovimit, por kur janë kthyer në vjeshtë e kanë parë që nuk kanë përfunduar as gjysma e punëve.
Ai tregoi se i ftohti ka ndikuar edhe që të sëmuren sportistët. E për këtë kaën amrrë edhe ankesa nga prindërit e fëmijëve sportistë, madje tregoi që edhe numri i tyre ka rënë shumë. Ai i frikësohet mundësisë së shuajtjes së klubit.
“Po ia dalim kështu qysh po mujmë, qysh na patë edhe vet, do me trenerka, do me jakne, diqysh veç sa mos me e shu komplet klubin. Ata që janë sot mirë, nesër ndoshta ftohen edhe këta, edhe mbesim pa asnjë hiç, vijmë veç na” – shtoi Jashari.
Renovimi i kësaj salle po bëhet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë me mbështetje dhe financim të Zyrës së BE-së në Kosovë, Bankës Botërore dhe qeverisë.
FKEE tregoi se procesi i investimeve në masa të efiçiencës së energjisë si izolimin termik të mureve si dhe instalimin e dritareve efiçiente, “pra mbështjellësin e ndërtesës, investimet në ngrohje dhe në ndriçim efiçient, kërkon që fillimisht të demontohen të gjitha hapësirat në mënyrë që të instalohet fasada gjysmëstrukturale dhe instalimi i dritareve në tërësi, ku tha se edhe për pasojë krijohen hapësirat ku hynë i ftohti”.
Fondi tregoi arsyet e mos përfundimit të punëve sipas afatit, i cili ka qenë më 31 dhjetor 2022.
Ndër to ka qenë edhe vështirësia e kontraktorit për të siguruar materialin e kualitetin të kërkuar sipas kontratës, i cili importohet nga jashtë vendit, sic thanë ata për shkak të çrregullimeve në tregun global.
“Krahas kësaj, edhe Komuna e Ferizajt (në gusht 2022) pati kërkuar të realizohen disa ndryshime në projekt, gjegjësisht nga xhamat transparent si është dakorduar fillimisht në kontratë të vendosen xhama me ngjyrë te mbyllur, gjë qe ka kontribuar edhe me tej në vonesë në implementim, ndërsa punimet janë ende duke vazhduar, përfshirë edhe masa emergjente për situatën e dimrit” – thuhet në përgjigjen e fondit për KALLXO.com.
Kontraktori “Mercom Company” tha se tani e kanë siguruar materialin, por kushtet atmosferike po ua pengojnë punën, mirëpo shtoi se punimet do të përfundohen me kohë.
Afati i projektit nga 31 dhjetori është shtyrë deri më 31 maj 2023.
Nga Komuna e Ferizajt thonë se kanë kërkuar nga FKKE që punimet të kryhen, por nuk kanë pranuar një përgjigje.
Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt tha se do të presin edhe pak javë apo muaj dhe do të intervenojnë vetë, në mënyrë që t’iu dalin në ndihmë sportistëve.
Ai tregoi edhe për një zgjidhje që komuna është munduar ta bëjë, por që nuk ka pasur sukses.
“Drejtoresha e Kulturës ka pas kontakte me Policinë dhe FSK-në, në mënyrë që hapësirat e këtyre dy institucioneve respektive të ju lejohen sportistëve, që të kenë qasje në stërvitje, mirëpo fatkeqësisht sportistët nuk janë dakorduar me orarin e stërvitjeve me Policinë dhe FSK-në” – tregoi Selimi.
Trajneri i klubit “Kastrioti”, Arlind Ibrahimi tha se ata e zhvillojnë aktivitetin e tyre 2 ditë të javës në shkollën ekonomike në Ferizaj dhe 3 ditë në sallën e sporteve “Bill Clinton”. E oraret që policia e FSK-ja ua kanë ofruar kanë qenë në të njëjtën kohë me oraret e ushtrimeve në shkollën ekonomike, prandaj nuk u ka konvenuar.
“Ne i falënderojmë për mundësinë sepse ma mirë është diçka se hiç, por ajo sallë nuk i plotëson kushtet për stërvitje. Është shumë e vogël. Shumë e ulët dhe me e keqja prej të gjithave, atë palestër ma kanë dhanë në të njëjtën kohë kur veç i kam terminet në këtë palestër” – u shpreh Ibrahimi.
Projekti për renovimin e sallës kushton rreth 500 mijë euro dhe Komuna e Ferizajt është përfituese. Sipas kontratës, këtë shumë komuna detyrohet ta kthejë në të ardhmen.