I dyshuari që tentoi ta vriste me thikë kushëririn e tij në Prizren lirohet në arrest shtëpiak

Açif Vasija, i dyshuar për vrasje në tentativë të kushëririt të tij në Prizren, është liruar në arrest shtëpiak nga paraburgimi.

“Ndërprehet masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit Açif Vasija dhe e njëjta zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak” – thuhet në vendim.

Sipas aktakuzës, më 14 nëntor 2022, pas një mosmarrëveshje rreth parkimit të veturës, me dashje e ka goditur disa herë me thikë kushëririn e tij, në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në shqyrtimin fillestar, propozimin për ndryshimin e masës e ka bërë Forti Skoro, avokat i të dyshuarit.

Prokuroria këtë propozim ia kishte lënë në vlerësim gjykatës, ndërkaq kundërshtime ka paraqitur Blend Gjini, përfaqësues i palës së dëmtuar.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e paraburgimit pasi që janë siguruar provat e nevojshme. Po ashtu me këtë masë mund të sigurohet prezenca e të akuzuarit.

Më tej në arsyetim thuhet se për ndryshimin e masës janë marrë për bazë raportet mjekësore për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

“Gjykata ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në kuptimin e ligjit” – thuhet mes tjerash në vendim.

Gjykata ka vlerësuar masat e tjera por ka ardhur në përfundim se në rastin konkret janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës.

Sipas Prokurorisë, Açif Vasija më 14 nëntor 2022, në Prizren me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta  kushëririn e tij – të dëmtuarin Blerim Vasija.

Aktakuza thotë se pasi i pandehuri kishte parkuar veturën në afërsi të derës së hyrjes së shtëpisë së të dëmtuarit, me ta vërejtur këtë fakt, i dëmtuari është futur brenda në shtëpi, ka marrë çelësat që ta largojë automjetin e tij ku e kishte parkuar dhe kur ka tentuar ta hapë derën, i pandehuri i është drejtuar me bërtima dhe ka filluar ta sulmojë.

Tutje sipas Prokurorisë, me një thikë të cilën e ka pasur në dorë i pandehuri thuhet se e ka sulmuar të njëjtin në pjesën e kokës, qafës, kafazit dhe në afërsi të klavikulës dhe pasi i dëmtuari ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Në dosje thuhet se i njëjti i është vënë pas.

Aktakuza thotë se i dëmtuari ka ndaluar para një shtëpie duke kërkuar ndihmë me ç’rast me një automjet ka arritur në afërsi të një lokali dhe bashkë me E.Q., kanë shkuar në Emergjencë.

I dëmtuari i është nënshtruar intervenimit kirurgjik ku sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore i janë shkaktuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Me këtë Açif Vasija ngarkohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.