Foto: KALLX.com

Vrasja në tentativë, deklarohet rreth fajësisë i akuzuari

Açif Vasija është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë për veprën vrasje në tentativë.

Vasija po ngarkohet se më 14 nëntor 2022, me dashje godet disa herë të dëmtuarin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në seancën e së hënës, pas leximit të aktakuzës ai u deklarua rreth fajësisë.

“Jo, nuk e pranojë fajësinë”- tha i akuzuari.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë në kundërshtim të akuzës dhe provave.

Në fund të gjykimit, Forti Skoro, mbrojtës i të pandehurit ka kërkuar që të dyshuarit t’i zëvendësohet paraburgimi me arrest shtëpiak.

Lidhur me paraburgimin, Gjykata do të marr vendim jashtë seancës.

Shqyrtimi i dytë u caktua për më 6 shkurt 2023.

Sipas Prokurorisë Açif Vasija më 14 nëntor 2022, në Prizren me dashje tenton ta privojë nga jeta  kushëririn e tij-të dëmtuarin Blerim Vasija.

Aktakuza thotë se pasi i pandehuri kishte parkuar veturën në afërsi të derës së hyrjes së shtëpisë së të dëmtuarit, me ta vërejtur këtë fakt, i dëmtuari futet brenda në shtëpi, merr çelësat që ta largojë automjetin e tij ku e kishte parkuar dhe kur tenton ta hapë derën, i pandehuri  i drejtohet me bërtima dhe fillon ta sulmojë.

“Me një thikë të cilën e ka pasur në dorë i pandehuri e sulmon të njëjtin në pjesën e kokës, qafës, kafazit dhe në afërsi të klavikulës dhe pasi i dëmtuari tenton të ikë nga vendi i ngjarjes, i njëjti i vihet pas, mirëpo i dëmtuari ndalon para një shtëpie duke kërkuar ndihmë me ç’rast me një automjet arrin në afërsi të një lokali dhe bashkë me E.Q., shkojnë në Emergjencë”-përshkruhet në akuzë.

I dëmtuari sipas Prokurorisë i nënshtrohet intervenimit kirurgjik ku sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore i janë shkaktuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Me këtë Açif Vasija ngarkohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.