I dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës, Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit Ilir Abdullahu - ‘Liza’

Të dyshuarit lidhur me rastin e vrasjes së Triumf Rizës, Ilir Abdullahu, i është vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Në çështjen penale kundër të pandehurit I.A, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 31.05.2024  ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.A iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj” – ka thënë Gashi më 04.06.2024.

Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”, dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, që kishte ndodhur më 30.08.2007 në Prishtinë, ku i vrarë kishte mbetur Triumf Riza, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Edhe në fillimi të muajit prill, Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim që Abdullahut, të dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës, t’i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit.

Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte dhënë 100 mijë euro dorëzani.

Gjykata e Apelit, më 03.11. 2023 e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun, i dyshuar për vrasjen e policit Triumf Riza.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhej se në ankesën e Prokurorisë Speciale pretendohet se aktvendimi për masën e dorëzanisë është në shkelje të dispozitave të procedurës penale. Kjo për faktin se për caktimin e kësaj mase duhet të ekzistojë dyshimi i bazuar dhe se baza e vetme është rreziku i ikjes, andaj Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të njëjtit.

Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se ankesa e Prokurorisë Speciale është e bazuar dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me proporcionalitetin dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.

Andaj edhe zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në vlerë prej 100 mijë euro për të pandehurin nuk është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se i pandehuri Abdullahu duhet të kthehet në paraburgim.

Gjykata Supreme e Kosovës e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit që Ilir Abdullahun ta kthejë në paraburgim.

Gjykata Supreme e kishte refuzuar ankesën e avokatit të Abdullahut, Ramë Dreshaj, i cili kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që të dyshuarin ta kthejë në masën e paraburgimit.

Për vrasjen e Triumf Rizës është dënuar Arben Berisha, kurse Enver Sekiraqa është duke u gjykuar ende për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.
Më 31.05.2024, Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën Enver Sekiraqës i ishte vendosur masa e paraburgimit. Gjyqtari Agim Kuçi e kishte lënë të mbrohet në liri më 03.05.2024 kur e kishte shpallur dënimin me 25 vite burgim për shtytje në vrasje të Triumf Rizës në vitin 2007.

Kur ishte lënë në liri nga Kuçi, Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. E njëjta kishte vendosur ndryshe nga shkalla e parë, pra që Sekiraqa të shkonte në paraburgim.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të 17.05.2024 me të cilën është vendosur që Sekiraqa të kthehet në paraburgim, ankesë kishte parashtruar avokati i tij Besnik Berisha. Këtë ankesë të avokatit Berisha, Supremja e ka gjetur si të pabazuar.

Lidhur me heqjen e arrestit shtëpiak dhe lënien në liri të Sekiraqës gjyqtarit Agim Kuçit i ishte shqiptuar masa e suspendimit deri në një vendim tjetër nag Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në shpalljen e aktgjykimit  kur u dënua për herë të tretë me datë 03.05.2024, Sekiraqa nuk ishte prezent në sallë.

Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin e vrasjes së Rizës 17 vite më parë. Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vite burgim.

Policia e Kosovës më 23.05.2024 ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen dhe arrestimin e Enver Sekiraqës, pasi që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për organet e rendit dhe drejtësisë.

Policia ka publikuar fotografinë e tij dhe të dhënat, duke e kërkuar si të dënuar për veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rendë”, në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Dorasi i shpallur fajtor për vrasjen e Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua me 35 vjet burgim.