Shpallja e vendimit për rastin në Bon Vivant

25 vjet burgim për dy të akuzuarit për vrasjen në Bon Vivant

Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi u dënuan nga shkalla e parë për të katërtën herë për veprën penale vrasje në bashkëkryerje të Rrahman Ukës, roje në Bon Vivant, më 13.10.2014.

Gërdovci u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Krasniqi u dënua me 7 vjet burgim.

Gërdovci u dënua edhe me 1500 euro gjobë për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paaurorizuar të armës.

Të dy të akuzuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa deri në plotfuqishmëri të vendimit, atyre u vazhdohet masa e paraburgimit.

Vendimi u mor nga Avni Syla – kryetar i trupit gjykues dhe Gazmend Bahtiraj e Sulltane Hoti – anëtarë, më 24.05.2024.

Kjo është hera e katërt që shkalla e parë po vendos për këtë rast, i cili u kthye në rigjykim tri herë nga Gjykata e Apelit.

Për të akuzuarin Masar Gërdovci, Prokuroria kishte bërë rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”, në seancën e parë të rigjykimit të tretë, më 26.09.2023.

Në seancën e kaluar, të datës 20.05.2024, kur u thanë fjalët përfundimtare, Prokurori kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese e ato rënduese. Ndërkaq, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan lirimin nga akuzat, duke thënë se nuk është vërtetuar kryerja e veprave penale.

Prokurori Armend Hamiti tha se të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi janë personat që kanë kryer veprën penale nga veprimet e të cilëve kishte mbetur i vrarë Rrahman Uka.

“Në çështjen penale kundër të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën tani e tutje nga ky rigjykim, bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, domethënë e ka bo ricilësimin nga – vrasje e rëndë në – vrasje. Vërtetohet përtej dyshimit mirë të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale ashtu siç, vrasje në bashkëkryerje”- tha Hamiti.

Hamiti kërkoi nga trupi gjykues që të marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese dhe Gjykata të shpallë aktgjykim dënues për të akuzuarit e këtij rasti.

Kurse avokati Naim Rudari, i cili mbron të akuzuarin Masar Gërdovci, tha se Prokuroria asnjëherë nuk ka arritur ta vërtetojë se Masar Gërdovci ka qenë ai që e ka shkrepur armën. Në mungesë të këtij precizimi, Rudari kërkoi nga Gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat e Prokurorisë.

“Nuk është vërtetuar se Masari ka shkrepur armën në ditën kritike dhe është kryes i kësaj vepre. Si do që të jetë kërkojmë nga Gjykata që në mungesë të vërtetimit të saktësimit të kësaj ngjarjeje se çfarë ka ndodhur, Masar Gërdovci të lirohet nga kjo aktakuzë, përveç asaj që e ka pranuar veprën penale për armëmbajtje pa leje”- tha Rudari.

Vetë i akuzuari Gërdovci shprehi keqardhje dhe ngushëlloi familjarët e viktimës. Ai tha se është dënuar dy herë nga Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave.

“Jam dënu si i dënum në bashkëveprim si i dyshuar, kurse vrasësi sipas aktakuzës, është liru, kjo s’pi ujë me kurrgjë hiç, unë si bashkëveprues a vrasësi lirohet, kjo s’ka ndodhë kurrë në botë, tri here, jo dy herë. Suzana Qerkini  me të njëjtën aktakuzë që nuk jam vrasësi unë m’ka dënu, një herë m’ka dënu 22 vjet, një herë m’ka dënu 18 vjet pa asnjë fakt, e n’fund zotëri prokuror e ndërron aktakuzën e më lë mua vrasës”- tha Gërdovci.

I pandehuri tha se e tërë ngjarja me të cilën po dënohet është një dallavere që është bërë nga Prokuroria dhe Gjykata.

“Ky është dallaver Prokurori – Gjykatë. Dua drejtësi” – tha tutje Gërdovci.

I akuzuari tha se në vendin ku kishte ndodhur ngjarja, kishte kamera të sigurisë që kishin incizuar tërë ngjarjen, por që, sipas tij, Uran Ismaili ka qenë personi që i ka fshehur ato.

“Ekzistojnë, incizimet ekzistojnë, prapa incizimeve po fshihet diçka e madhe, po fshihet e vërteta e rastit tim. Ju kisha lutë pronarët e “Bon Vivant”-it me në krye Uran Ismailin le të bahet burrë le t’i qet kamerat publikisht, kamerat zotëri gjyqtar ekzistojnë, i bindur jam, kam fakte, kam shumë material me fol, po ta kam dhanë besën që në pika të shkurta po e them, kam shumë emra me përmend po s’po du me i përmend publikisht, që janë të involvum në manipulimet e poshtërsitë e dredhinat që i kanë bërë, tri herë jam dënu pa asnjë provë. Incizimet, incizimet betohna në familje që ekzistojnë, prapa fshehjes së incizimeve është Uran Ismajli, i bindur jam, Uran Ismaili është ai që i ka fshehë incizimet”- tha për fund Gërdovci.

Kurse mbrojtësi Haxhi Millaku, që mbron Sherif Krasniqin, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza pasi që për afër 7 vite ka qenë në masën e paraburgimit.

“Konsideroj se i mbrojtur im të lirohet nga akuza, me aktgjykim gjyqësor lirues sepse pa bazë ka nejtë 7 vite pa dy muaj në paraburgim”- tha Millaku.

Kujtojmë se rikualifikimi i evprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje” për Masar Gërdovcin, sipas prokurorit ishte bërë  në bazë të rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

I pakënaqur me këtë rikualifikim është shprehur familjari i të dëmtuarit që ishte i pranishëm në seancë. Ai deklaroi se nuk do ta ndjekin më gjykimin e këtij rasti.

gjykimin e tretë, Gjykata Themelore kishte gjetur fajtorë të akuzuarit lidhur me rastin. Gjykata e kishte gjetur fajtor Masar Gërdovcin për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vitesh, si dhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje Gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1,500 euro.

Kurse Sherif Krasniqit për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa për veprën penale – armëmbajtje pa leje është refuzuar aktakuza meqë prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë.

Lidhur me aktgjykimin dënues të Themelores ankesë kishin ushtruar të gjitha palët, përfshirë këtu edhe familjarët e të dëmtuarit.

Kolegji i Apelit në përbërje të gjyqtarëve Beqir Kalludra – kryetar, Hashim Qollaku dhe Tonka Berishaj – anëtarë, në trajtimin e ankesave të palëve në procedurë me aktvendimin e datës 13 qershor të këtij viti, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të Kodit të procedurës penale.

E sipas kësaj, Apeli ka gjetur se në vendimin e Themelores dy të akuzuarit janë shpallur fajtor për vrasje të rëndë, kurse të akuzuarit në gjykimet e më hershme kanë qenë të dënuar për veprën penale të vrasjes.

Vendimi i shkallës së parë ishte marrë në janar të këtij viti, nga gjyqtari Avni Syla – kryetar i trupit gjykues, Alltëne Murseli dhe Shpresa Hasaj- Hyseni – anëtare.

Kujtojmë që me aktgjykimin {për herë të dytë} të Themelores, të datës 18.12.2020, Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e Apelit të datës 02.04.2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Të pandehurit Masar Gërdovci, herën e parë Gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, Gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga – vrasja e rëndë në – pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK