I arrestuari për rastin e Trafikut Urban, sekretar në Postën e Kosovës

Tre zyrtarë të lartë të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” të hënën më 14 mars u arrestuan nga Policia e Kosovës, departamenti i krimeve ekonomike pas një hulumtimi të KALLXO.com.

Ndër të arrestuarit ishte edhe Florent Tahiraj, ish-sekretar në “Trafikun Urban”.

I njëjti, siç kanë konfirmuar nga Ndërmarrja Publike Qendrore “Posta e Kosovës” aktualisht mban pozitën e sekretarit në këtë ndërmarrje.

Tahiraj, së bashku me Ruhan Behën, ish-kryesues i Bordit në “Trafikun Uban” dhe Lulzim Rexhepajn, ish-kryeshef në këtë ndërmarrje po dyshohen për kryrjen e veprave penale, keqperdorim i pozitës zyrtare, konflikt i interesit dhe ndihmë.

Anise forcat e rendit njoftuan se katër persona u arrestuan dhe të njëjtit janë nën hetime, zyra për media e “Postës së Kosovës” ka thënë se Florent tahiraj, sektar në ndërmarrje, nuk është arrestuar por vetëm është ftuar për të dhënë deklaratë.

“Ju njoftojmë që z. Tahiraj nuk është arrestuar. I njëjti është ftuar për të dhënë deklaratë në Polici në lidhje me një rast që nuk ka të bëjë me Postën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e “Postës së Kosovës” për KALLXO.com.

“Pra nuk kemi të bëjmë me arrestim, por vetëm është ftuar për të dhënë deklaratë, këtë e dëshmon dhe raporti zyrtar i Policisë së Kosovës të publikuar në uebfaqen e tyre”, vijon përgjigja.

Florent Tahiraj është zgjedhur përmes një konkursi publik si sekretar në “Postën e Kosovës” më 1 dhjetor të vitit 2021.

Të pyetur nëse Tahiraj ka dorëzuar një certifikatë që tregon se ai nuk është nën hetime, zyra për medie e kësaj ndërmarrje publike ka thënë se atë e kishte dorëzuar sekretari i tanishëm.

“Me rastin e aplikimit, z.Tahiraj e ka dorëzuar certifikatën që nuk është nën hetime nga Gjykata dhe i njëjti nuk ka figuruar që është nën hetime. Certifikata e paraqitur mbanë vulën nga Gjykata dhe nënshkrimin e referentit përkatës”, thuhet në përgjigjen e “Postës së Kosovës”.

Historia e veturës që i çoi arrestimin zyrtarët e lartë të “Trafikut Urban”.

Rreth një vit më parë KALLXO.com me një hulumtim kishte kishte zbuluar se si ishte kurdisur një tender nga zyrtarë publik.

Një veturë e ish-kryesuesit të bordit të “Trafikut Urban” ishte blerë nga ndërmarrja, me një cmim më të lartë sesa që ishte në treg.

Ruhan Beha, ish-kryesues i bordit, Lulzim Rexhepaj, ish-kryeshef i “Trafikun Urban” dhe Florent Tahiraj, ish-sekretar në këtë ndërmarrje u arrestuan nga forcat e rendit nën dyshimin se keqperdorën pozitën dhe autoritetin zyrtar.

E, ende pa u bë një vit, kur KALLXO.com publikoi hulumtimin, Policia e Kosovës, departamenti pë krime ekonomike arrestoi katër persona, tre zyrtarë të lartë të Trafikut Urban dhe një menaxher të një auto-salloni në Prishtinë.

Historia e veturës që i çoi prapa grilave zyrtarët e lartë të ‘Trafikut Urban’

www.kallxo.com