Vetura e tipit Passat që ishte në pronësi të ish-kryesuesit të Bordit të Trafikut Urban

Historia e veturës që i çoi prapa grilave zyrtarët e lartë të 'Trafikut Urban'

Për blerjen e një veture, tre zyrtarë që mbanin pozita të larta në Ndërmarrjen Publike Lokale ‘Trafiku Urban’, përfunduan prapa grilave të hënën më 14 mars.

Rreth një vit më parë KALLXO.com me një hulumtim kishte kishte zbuluar se si ishte kurdisur një tender nga zyrtarë publik, të cilët sot gjenden në burg.

Një veturë e ish-kryesuesit të bordit të “Trafikut Urban” ishte blerë nga ndërmarrja, me një çmim më të lartë sesa që ishte në treg.

Ruhan Beha, ish-kryesues i bordit, Lulzim Rexhepaj, ish-kryeshef i “Trafikun Urban” dhe Florent Tahiraj, ish-sekretar në këtë ndërmarrje u arrestuan nga forcat e rendit nën dyshimin se keqperdorën pozitën dhe autoritetin zyrtar.

E, ende pa u bërë një vit, kur KALLXO.com publikoi hulumtimin, Policia e Kosovës, departamenti pë krime ekonomike arrestoi katër persona, tre zyrtarë të lartë të Trafikut Urban dhe një menaxher të një auto-salloni në Prishtinë.

Ish-kryesuesi i bordit, Ruhan Beha

Ish-kryesuesi i Bordit të “Trafikut Urban”, Ruhan Beha të hënën u prangos nga Policia e Kosovës nën dyshimin se u përfshi në një aferë kurruptive.

Por, kjo nuk është hera e parë që Beha arrestohet nga forcat e rendit.

Dy vite më parë, në janar të vitit 2020, Ruhan Beha ishte prangosur pasi i njëjti ishte denoncuar nga atëherë kryeshefi i “Trafiut Urban”, Lulzim Rexhepaj.

Beha, atë kohë, ishte përfshirë në një konflikt të interesit, pasi kishte provuar që përmes menaxhmentit ta punësonte gruan e tij në ndërmarrjen publike lokale ku vetë ishte në krye të bordit.

Në shtator të vitit 2019, një kontratë ishte nënshkruar nga kryeshefi i ndërmarrjes publike lokale “Trafiku Urban” për punë praktike të Lendita Behës, gruan e Ruhan Behës.

Gruaja e ish-kryesuesit të “Trafikut Urban” kishte një pagë prej 400 eurove, jo si të gjithë praktikantët në këtë ndërmarrje.

Në kontratë thuhej që Lendita Beha ka pozitën e punës praktike në Teknologji Informative, por punën ajo e kryente në Departamentin e financave.

“Është e vërtetë që e ka pasë pagën më të lartë. Kemi pasë një dakordim me bordin që praktikantët t’i kenë pagë prej 250 euro, po ne edhe praktikantët konduktor i paguajmë me një pagë rreth 350 euro”, kishte thënë Lulzim Rexhepaj, kryeshef i “Trafikut Urban” për KALLXO.com

“Kryesuesi i bordit është interesuar rreth pagës së gruas, është e vërtetë se është interesuar që ajo të ketë një pagë pak më të lartë. Kemi gjetë një kompromis”, kishte shtuar ai.

Por, kur Beha i kishte kërkuar Rexhepajt punësimin e gruas, ai nuk ishte pajtuar. Për këtë, e kishte denoncuar edhe në polici.

“Me bordin e drejtorëve kemi pasë një bashkëpunim të mirë dhe korrekt po ja që ndodhi një mospajtim dhe një konflikt me kryesuesin e bordit, ku unë ju kam drejtu organeve të hetuesisë për ta zgjidhur këtë çështje|, deklaronte Rexhepaj.

“Saktësisht, ishte presioni nga kryesuesi i bordit për t’ia punësuar gruan e tij dhe unë nuk kam dashtë të nënshtrohem dhe nuk iu kam përgjigjur një presioni të tillë”, kishte thënë Rexhepaj në prill të vitit 2021, një vit pasi kishte denoncuar te organet e rendit kryesuesin e bordit, Ruhan Behën.

Ish-kryeshefi, Lulzim Rexhepaj

Të hënën, më 14 mars 2022, Policia e Kosovës arrestoi edhe ish-kryeshefin e “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhapaj.

Ai, së bashku me Ruhan Behën, ish-kryesues i bordit dhe sekretarin e ndërmarrjes publike lokale, Florent Tahiraj, po dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

Rexhepaj, sipas Policisë së Kosovës, po dyshohet se derisa ishte kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike lokale Trafiku Urban u përfshi në një aferë, së bashku me dy zyrtarët e tjerë të kësaj ndërmarrje, për blerjen e një veture për nevojat e Trafikut Urban.

Por, vetura e cila kapërceu edhe procedurat e prokurimit publik, ishte në pronësi të ish-kryesesit të bordit, Ruhan Beha.

Lulzim Rexhepaj, ish-kryeshef i Trafikut Urban

Ish-kryeshefi i “Trafikut Urban” kishte thënë se nuk ka pasur informacione se vetura ishte në pronësi të ish-kryesuesit të bordit, një ditë para se të blihej nga ndërmarrja publike lokale.

“Vetura është blerë me procedura të rregullta të prokurimit dhe ne nuk kemi blerë ndonjë person privat por ne kemi blerë nga një operator ekonomik. Unë nuk kam qenë në dijeni që ajo ka qenë në pronësi të ish-kryesuesit, unë nuk përzihem në procedura të prokurimit”, kishte deklaruar Rexhepaj vitin e kaluar kur u intervistua nga KALLXO.com mbi blerjen e dyshimtë të veturës.

Ish-sekretari, Florent Tahiraj

Zyrtari i tretë i arrestuar është Florent Tahiraj, ish-sekretar në “Trafikun Urban”.

Aktualisht, Tahiraj është sekretar në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Posta e Kosovës”.

Në kohën kur vetura që ishte në pronësi të Ruhan Behës, Tahiraj ishte sekretar në ndërmarrje. Ai, së bashku me dy ish-zyrtarët e Trafikut Urban po hetohen për tri vepra penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit dhe ndihmë.

Tenderi i dyshimtë për blerjen e veturës

Vetura personale e Ruhan Behes, ish- kryesuesit të bordit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” kishte kaluar në pronësi të kësaj ndërmarrje pa asnjë procedurë të prokurimit.

Hulumtimi i KALLXO.com në prill të vitit 2021 zbardh detajet e kurdisjes së tenderit për blerjen indirekte të veturës personale të ish-kryesuesit me një çmim dyfishë më të lartë se sa çmimi i tregut.

KALLXO.com ka zbuluar se vetura e tipit Passat ishte në pronësi të kryesuesit të atëhershëm të bordit Ruhan Behes nga data 29 prill 2015 deri më datë 25 qershor.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Departamentit për regjistrimin e veturave, vetura e tipit Passat ka kaluar në pronësi të një autosalloni me qendër në Prishtinë më datën 25 qershor 2019.

Vetëm një ditë më vonë, sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil, kjo veturë ka kaluar në pronësi të Ndërmarrjes së Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban”.

Në ueb-faqen e prokurimit elektronikë nuk figuronte asnjë tender i hapur nga “Trafiku Urban” për blerje të veturës në atë kohë.

KALLXO.com ka gjetur se tenderi për blerjen e veturës nga “Trafiku Urban” ishte hapur dy muaj më vonë, kurse kontrata ishte nënshkruar vetëm me datë 9 tetor 2019 apo 3 muaj e gjysmë pasi vetura kishte kaluar në pronësi të “Trafikut Urban”.

“Trafiku Urban” kishte paguar 13 mijë e 390 euro për këtë veturë, që sipas Auditorit të brendshëm të kësaj ndërmarrje vlera në treg ishte në mes të 6,500 – 7,500 euro, duke konstatuar se ndërmarrja ishte dëmtuar për rreth 6 mijë euro.

Tenderi i kurdisur

KALLXO.com ka zbuluar se “Trafiku Urban” e kishte hapur tenderin më datë 28 gushtë për blerjen e një veture, që tashmë e kishte në pronësi me letra.

Kjo ndërmarrje ja kishte përshtatur në plotëni specifikacioneve që fitues i këtij tenderit të ishte operatori ekonomikë të cilët ia kishte shitur veturën ish-kryesuesi i bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Në mesin e specikacioneve që ishin në tenderin e Trafikut Urban të hapur dy muaj pasi vetura kishte kaluar në pronësi të saj, ishte edhe kilometrat e kaluara. Trafiku Urban kishte kërkuar të blinte një veturë që kishte të kaluara 150,000-165,000, pra duke lënë vetëm 15 mijë kilometra diferencën.

Ngjyra e veturës ishte caktuar po ashtu në njoftimin për kontratë, pra kërkohej një veturë me ngjyrë të zezë të njëjtë me veturën e ish-kryesuesit të bordit. Edhe viti i prodhimit ishte caktuar në mes të vitit 2008 dhe 2010.

E të dhënat e siguruara nga Agjencisë së Regjistrimit Civil thonë se vetura që ishte në pronësi të Ruhan Behas ishte “veturë e markës VW, modeli; pasat, ngjyra e zezë, viti i prodhimit 2009”.

Në këtë tender kishte ofertuar vetëm operatori ekonomik “N.T.P Vlora”, më pronar Adnan Krasniqin. Kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë dhe kontrata me të ishte nënshkruar më datën 9 tetor 2019 për blerjen e kësaj veture në vlerë 13 mijë e 390 euro.

KALLXO.com e ka siguruar raportin e Auditorit të brendshëm për këtë aktivitet të prokurimit. Auditori ka gjetur se gjatë kohës sa ishte i hapur tenderi për blerjen e veturës, kryesuesi i bordi Ruhan Beha kishte qasje në “E-Prokurim”.

“Gjatë auditimit kemi hasur në informata që kryesuesi i bordit ka pasur qasje edhe në platformën e prokurimit dixhital KRPP dhe i ka monitoruar proceset e prokurimit. Kjo sipas ligjit për ndërmarrjet publike 03/L087 neni 16 pika 16.6 përbën shkelje duke ndërhyrë në kompetencat ekzekutive, thuhej në raportin e Auditorit.

Ndërmarrja Publike Lokale Trafiku Urban në vitin 2019 nuk qëndronte mirë në aspektin financiar. Por, përkundër kësaj, ndërmarrja kishte vendosur që të blejë një veturë për nevoja të kryeshefit, Lulzim Rexhepi.

Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban

www.kallxo.com