Foto: Ilustrim

Pas hulumtimit të KALLXO.com, arrestohen tre ish-zyrtarë të Trafikut Urban dhe menaxheri i një auto-salloni

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, sot ka arrestuar 4 persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe  përfshirje në konflikt interesi.

Sipas Policisë bëhet fjalë për disa nga ish-drejtuesit e ndërmarrjes Trafiku Urban.

“Personat e dyshuar me iniciale (deri sa ishin në pozita, tani nuk i ushtrojnë ato pozita); R. B. (Kryesues i Bordit të Drejtorëve të NPL “Trafiku Urban”), L. R. (Kryeshef i NPL “Trafiku Urban”), F. T. (Sekretar në NPL “Trafiku Urban”) dhe V. K. (Menaxher në një auto-sallon), kanë arritur që përmes marrëveshjeve dhe koordinimeve në mes vete, veturën që ka qenë në pronësi të Kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese ta blejnë të njëjtin për nevojat e NPL “Trafikut Urban” në vlerë prej disa mijëra euro me shtrenjtë se vlera reale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

KALLXO.com merr vesh se tre ish-zyrtarët e arrestuar janë: Ruhan Beha, ish-kryesues i bordit të drejtorëve të Trafikut Urban; Lulzim Rexhepaj, ish-kryeshef i Trafikut Urban dhe Florent Tahiraj, sekretar i Trafikut Urban.

Sipas Policisë, të dyshuarit me veprimin në fjalë i kanë shkaktuar dëme buxhetit të ndërmarrjes dhe njëkohësisht kanë përfituar për vete.

Tutje Policia njofton se hetuesit policorë pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme hetimore/operative kanë siguruar dëshmi dhe informacione tjera për personat e dyshuar dhe dëmet e shkaktuara, përmes veprimeve policore me çka dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale.

Sipas Policisë në bazë të provave ekziston dyshimi se me këto veprime të dyshuarit L.R., R.B., F.T. dhe V.K. dyshohet se kanë kryer veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; konflikti i interesit dhe ndihma.

Tutje Policia sqaron se në konsultim dhe koordinim me prokurorin kujdestar sot të dyshuarit e lartcekur me iniciale (R.B. dhe L.R.) janë shoqëruar në Polici dhe nga aty me vendim mbi ndalimin nga prokurori kujdestar i PTH-Prishtinë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa të dyshuarit me iniciale (F.T. dhe V.K.) me vendim të prokurorit kujdestar janë liruar në procedurë të rregullt.

KALLXO.com më 14 prill të vitit të kaluar pati raportuar se vetura personale e Ruhan Behes, ish- kryesuesit të bordit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” kishte kaluar në pronësi të kësaj ndërmarrje pa asnjë procedurë të prokurimit.

Hulumtimi i KALLXO.com pati zbardhur detajet e kurdisjes së tenderit për blerjen indirekte të veturës personale të ish-kryesuesit me një çmim dyfishë më të lartë se sa çmimi i tregut.

Vetura që ishte në pronësi të kryesuesit të bordit u ble nga Trafiku Urban

www.kallxo.com