Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë të Kukësit. Foto: Bashkim Shala

I arratisuri nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike u arrestua në pikën kufitare në Vërmicë

Një i burgosur, i cili është arratisur gjate ditës së djeshme nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, është arrestuar gjatë ditës së sotme.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Shërbimit Korrektues se i arratisuri është arrestuar në pikën kufitarë në Morinë.

Ai po tentonte të arratisej jashtë Kosovës ndërsa është kapur pasi ndaj tij është lëshuar një urdhër-arrest.

Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi gjatë ditës së sotme për arrestimin e të arratisurit me inicialet I.Sh.

I njëjti ishte arratisur nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.

ShKK dje njoftoi edhe se për shkak të arratisjes së të paraburgosurit I.Sh. nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike, ka suspenduar mbikëqyrësin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, ndërsa tre zyrtarë të tjerë janë proceduar në komision disiplinor.

Deri te suspendimi është ardhur për shkak të dyshimit se zyrtarët korrektues gjatë kryerjes së detyrës zyrtare  kanë shkelur procedurat e sigurisë institucionale.

Lidhur me rastin, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka caktuar Komisionin Hetimor të Brendshëm, i  cili do të hetojë rastin në tërësi.