Ilustrimi, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hulumtimi: Rreth 17% e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit
Sipas një hulumtimi të realizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA, 16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1-3 libra për vit.
Hulumtimi është realizuar në 14 komuna të Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Mitrovicë, Skenderaj, Pejë, Klinë, Gjakovë, Junik, Prizren, Mamushë, Gjilan, Kamenicë, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
“Për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetimin e njëjtë: 67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë. Gjithsesi, të pyetur për preferencat e tyre gjatë kohës së lirë, vetëm 20.7 për qind e qytetarëve thonë se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, me 33.5 për qind që zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv” – thuhet në njoftim.
Sipas hulumtimit, 31.29 për qind e qytetarëve nuk janë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar. 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj. Në përgjithësi, 52.24% nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total.
Hulumtimi ka nxjerrë të dhëna edhe lidhur me autorët e preferuar dhe titujt më të lexuar së fundmi nga qytetarët e Kosovës. Autorët e preferuar dhe titujt më të lexuar së fundmi nga qytetarët e Kosovës, janë “It ends with us” nga Coolleen Hoover dhe “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli.
Në anën tjetër, autorët/et më të përmendur nga qytetarët/et e Republikës së Kosovës janë Ismail Kadare nga vendorët dhe Colleen Hoover nga të huajt.
“Ajo që i bën interesante këto zgjedhje të qytetarëve është se libraritë deklarojnë të ketë kohë që vepra të Ismail Kadaresë ose “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli të mos shiten në sasi të mëdha, ose në periudha të shpeshta kohore. Kurse, me Hoover situata qëndron më ndryshe” – thuhet në hulumtim.
Për realizimin e këtij hulumtimi janë anketuar gjithsej 1,486 persona. Nga respodentët e anketuar në terren, 56.4% kanë qenë gra, kurse 42.7% burra. 0.9 për qind kanë refuzuar të përgjigjen se cilës gjini i takojnë. Mosha e respodentëve është nga 10-65+ vjeç.