Ilustrim

Reagon Shtëpia Botuese “Dukagjini”: Kemi ofertuar me çmim me të lirë se vitin e kaluar për librat

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka reaguar pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit lidhur me situatën për blerjen e librave shkollorë.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka thënë se kanë ofertuar me çmim me të lirë se vitin e kaluar.

“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, ne kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022” – thuhet në reagimin e tyre.

Në njoftim theksohet se Shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi.

Sot, zëvendësminsitri i MASHTI-it, Taulant Kelmendi e quajti të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit.

Ai tha se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”- tha Kelmendi në konferencën për media.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferoj drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.

Nagavci tha se për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve.

MASHTI shqyrton mundësinë që paratë për blerjen e teksteve shkollore t’ua transferojë prindërve