Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj tregon se cilat tema do t'i diskutojnë në mbledhjen e Këshillit Drejtues

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të partisë do të diskutojnë për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Hoxhaj në një konferencë për media u shpreh se temë e diskutimit do të jetë edhe platforma e re se si do t’u qasen qytetarëve.

“Sot kemi një mbledhje të KP-së së PDK-së. Kjo është mbledhje e rregullt. Agjendë e takimit tonë është që të bisedojmë rreth rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit, se cilat ishin faktorët që morëm atë rezultat dhe mbi të gjitha të bisedojmë se si ne si PDK do duhej të dalim me një koncept komplet të ri politik, me një platformë komplet të re se si t’u qasemi qytetarëve, se si ta organizojmë PDK-në në nivel të degëve e nëndegëve, se si të bashkëpunojmë me mediat e shoqërinë civile”, deklaroi Hoxhaj.

“PDK do të jetë një opozitë e vendosur, do të jetë një front demokratik ndaj qeverisë që do të formohet në javën e ardhshme. Do të bëjmë përpjekje maksimale që t’i përfaqësojmë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se do të organizohen edhe për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor.

“Kjo mbledhje nuk është asgjë tjetër, përveç se një dialog i brendshëm i strukturave të PDK-së dhe do të dalim me veprime konkrete se si PDK ta bëjë opozitën, se si të organizohemi për zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtë… Temë kryesore në këtë takim është debati se si PDK duhet të analizojë rezultatin zgjedhor dhe për platformën e re politike, se në cilat fusha duhet të jemi aktiv, si duhet të organizohemi si grup parlamentar”, tha ai duke u shprehur tutje i bindur se do të rikthehen në pushtet.