Hovenier: Kosova nuk mund të ketë paqe apo siguri pa pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të grave

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në fjalimin e tij në konferencën për Integritetin e Informacionit DISICON-it, teksa ka folur për dezinformimin në baza gjinore në Kosovë, ka folur edhe për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Ai tha se përgjatë kësaj jave është raportuar një rast që dyshohet të jetë femicid, sipas tij ilustron se sa urgjentë është të punohet për të adresuar çështjen e dezinformimin në baza gjinore në nivel shoqërie.

“Tematika e këtij viti e DISCON-it, për të kuptuar dhe të luftuar dezinformimin në baza gjinore dhe LGBTQI+, është themelore për të ndërtuar demokraci të fortë dhe pjesëmarrëse dhe për të promovuar të drejtat e njeriut. Në lajmet e kësaj jave në Kosovë, është raportuar një tjetër rast që dyshohet të jetë femicid, ilustron se sa urgjente është që ne të punojmë për të adresuar këto çështje në nivel shoqërie”- tha Hovenier.

“As SHBA-të, apo Kosova apo edhe ndonjë vend tjetër demokratik në botë, nuk mund të ketë paqe, stabilitet apo siguri, pa pjesëmarrjen e sigurtë, të lirë dhe të barabartë të grave dhe të gjitha grupeve të margjinalizuara në jetën publike. Kjo është një ndër arsyet pse e kam konsideruar si prioritet që të jem këtu sot, dhe kjo është arsyeja se përse Ambasada amerikane në Kosovë është e fokusuar në këto çështje  mbi integritetin e informacionit”- shtoi ai.

Hovenier vlerëson se kampanjat e dezinformimit, veçanërisht ato kundër grave dhe grupeve tjera të margjinalizuara janë hapi i parë i një përpjekjeje të gjerë dhe të rrezikshme për të shpërbërë demokracinë dhe mund të cenojë të drejtat themelore të njeriut.

“Duhet ta marrim seriozisht, duhet t’i përgjigjemi me seriozitet, duhet të përgjigjemi në një mënyrë që është efektive që është parimore dhe e koordinuar. Duhet të punojmë së bashku të ndalim autorët me qëllime të këqija që kërkojnë përfitime politike, duke sulmuar gratë, indivitët e LGBTIQ+, grupet e minoriteteve”- theksoi ai.

Ambasadori amerikan tha se në statistikat e një sondazhi, 76% e qytetarëve në Kosovë, mendojnë se partitë politike në Kosovë duhet të sigurojnë përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave, ndërsa 62% e qytetarëve besojnë se ngacmimet online dhe portretizimi negativ i grave në politikë, diskurajojnë pjesëmarrjen e tyre në politikë.

“Përderisa këto statistika janë kthjelluese, na tregojnë që popullsia kupton dhe janë të gatshëm të mbështesin ndryshimin”- vlerësoi ai.

Sipas Hovenier, qëllimi duhet të jetë krijimi i një ambienti medial gjithpërfshirës dhe të sigurt.

“Trajtimi i dezinformimit në baza gjinore kërkon përgjigje të shumëanshme dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet të kuptuarit të kompleksitetit të tij dhe vetëm duke punuar së bashku, vetëm duke identifikuar këtë që është një problem, vetëm duke arritur në një mirëkuptim dhe angazhim të përbashkët për të adresuar këtë problem, mund të arrijmë diçka në përgjigjen ndaj tij. Shpresoj që pajtohemi që qëllimi ynë duhet të jetë një ambient medial gjithëpërfshirës dhe i sigurt dhe një botë në të cilën vlerat demokratike mbizotërojnë për të gjithë”- theksoi Hovenier.