Foto: REL/RFE

Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ka ende paqartësi lidhur me sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës, por potencoi se grupi që sulmoi policinë, ishte i trajnuar dhe i organizuar.

Sipas tij, ky nuk ishte një grup që spontalisht u bënë bashkë për të shprehur shqetësime.

“Janë disa gjëra që i dimë deri tash dhe ka ende gjëra që nuk i dimë. Ky është sulm vërtetë serioz dhe incident shumë serioz. SHBA po punon së afërti me institucionet e sigurisë në Kosovë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. E dimë se sulmi është kryer nga një grup i mirëorganizuar, që ishte i trajnuar, profesional që kishte armatim të madh ushtarak”- deklaroi ai.

Ai potencoi se dikush u ka dhënë trajnim e armatim.

“E dimë se vranë një oficer policie dhe më pas shkuan në një objekt fetar dhe e shfrytëzuan atë objekt religjioz si vend për sulme tjera me armë ndaj forcave të Kosovës. Bazuar në pamjet e mjeteve ushtarake dhe planet që ishin bërë tregon se ky nuk ishte grup i personave individual që spontanisht janë bërë së bashku për të shprehur shqetësime, ky ishte grup i trajnuar dhe organizuar mirë që do të thotë se dikush ka qenë pas tyre që u ka dhënë këtë trajnim e armatim”- shtoi tutje ambasadori.

Hovenier theksoi se ky ishte një kërcënim për Kosovën dhe popullin e saj, derisa nuk komentoi nëse paraprakisht kishin njohuri për këtë sulm.

“Nuk dua të komentoj në çështjet e inteligjencës, do bënim çdo gjë për të shmangur sulmin, askush nuk do donte të shihte rreshterin Bunjaku të vdiste”- shtoi ai.

Sipas tij, ka pasur koordinim të fortë mes Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë.

Të dielën një grup prej mbi 30 personash sulmuan patrullën e policisë në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër.

Policia pasi rrethoi zonën u ishte përgjigjur shkëmbimeve të zjarrit të grupit terrorist, duke i lënë tre të vrarë dhe disa të plagosur dhe arrestoi gjashtë të dyshuar lidhur me sulmin terrorist.

Tre të arrestuarve për sulmin terrorist  të së dielës në Banjskë të Zveçanit iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga Gjykata e Prishtinës të martën.

Tre të arrestuarit e grupit terrorist Gjykata i çon në paraburgim