Hoti: Vetëm qeveria e drejtuar nga LDK e zhvillon sektorin privat

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës ka filluar fushatën elektorale si kandidat për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, të parakohshme, që do të mbahen më 14 shkurt.

Ai sot në një takim të strukturave të kësaj partie të mbajtur në Prizren ka thënë se LDK e ka obligim shtetëror ta ruaj stabilitetin dhe demokracinë në Kosovë. 

Ai po ashtu ka thënë se do të ruajnë bizneset e politikat ekonomike të Kosovës duke mos krijuar pasiguri juridike në vend. 

“Vetëm qeveria e drejtuar nga LDK e zhvillon sektorin privat. Kosova nuk ka qenë asnjëherë në udhëkryq më të madh se që është sot dhe LDK e ka për obligim jo pse është në garë politike por e ka obligim shtetëror të ruaj stabilitetin dhe demokracinë në Kosovë. Ne do tu garantojmë qytetarëve se do të jemi gardian të rendit demokratik në Kosovës, do të jemi gardian të bizneseve, të politikave ekonomike të djathta që çojnë kah Evropa që çojnë kah Amerika e jo që çojnë kah lindja dhe kah izolimi, e jo që çojnë kah dhuna, e jo që çojnë kah presioni shtetëror mbi qytetarët dhe mbi bizneset. Ne nuk guxojmë të lejojmë që të krijohet pasiguri juridike në vend”, ka thënë Hoti.  

Gjithashtu Hoti tha se Kosovës do t’i vijnë rreth 1 miliard dollarë nga kompanitë amerikane në katër vitet e ardhshme. 

“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, dhe krejt kjo për qëllime politike. E vërteta është se Marrëveshja e Uashingtonit, e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Katër vitet e ardhshme i sjellin Kosovës rreth 1 miliard dollar nga kompanitë amerikane në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe ju duhet të përgatiteni për këto projekte, siç janë hekurudha nga Durrësi në Prishtinë si dhe autostrada”, ka shtuar Hoti.