Avdullah Hoti - Foto: KALLXO.com

Hoti: Qeveria e ka humbur shansin që ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë

Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të hequr tarifën prej 100% dhe për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë, Hoti po e sheh si vazhdim i rrugës pa krye të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Hoti përsëri ka deklaruar se është dëmtuar partneriteti mes Kosovës dhe aleatëve të saj.

Sipas tij, me vendimet e fundit të Qeverisë në detyrë është humbur shansi që Kosova ta përkthejë në mbështetje heqjen e tarifës dhe presion ndaj Serbisë.

LDK deri para disa ditësh ishte pjesë e koalicionit qeverisës, derisa mori vendim që të votojë mocionin për shkarkimin e Qeverisë.

Në të kaluarën LDK kishte qenë pro heqjes së tarifës prej 100% për të zëvendësuar me masën e reciprocitetit, mirëpo pas presionin amerikan, LDK ishte tërhequr nga ky premtim.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit në Facebook:

Rruga pa krye e z.Kurti nuk ka të ndalur. Aleatët tanë na kanë kërkuar tërë kohën që të besojmë në ta dhe në planin e tyre, duke hequr taksën pa kushte, në mënyrë që ta detyronin Serbinë të ndalonte fushatën kundër Kosovës, dhe atë në mënyrë të verifikueshme.

Aleatët tanë kërkonin kohë që të detyronin Serbinë të hiqte pengesat për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave me Kosovën. Nëse këto pengesa nuk do të hiqeshin, atëherë aleatët do të mbështesnin Kosovën në vendosjen e masave të reciprocitetit.

Qasja konspirative nuk e la z. Kurti të gjykojë arsyeshëm në këto kërkesa të aleatëve tanë, duke dëmtuar kështu partneritetin tonë me ta, që detyrimisht qoi në shkarkimin e tij.

Tani, me këto veprime të njëanshme të Qeverisë së shkarkuar, Kosova e ka humbur shansin që heqjen e taksës ta përkthejë në mbështetje për Kosovën dhe presion mbi Serbinë nga aleatët tanë.

Është tepër e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re të zgjedhur mbi parimet kushtetuese, që është e përgjegjshme karshi proceseve shtet-ndërtuese dhe besimplote karshi aleatëve tanë.